Arrest me burg për 15-vjeçarin Klodian Kolbuçaj i dyshuar për vrasjen e bashkëmoshatarit të tij Emiljano Gjoni, shkruan A2 CNN.
I mituri Kolbuçaj është vlerësuar nga psikologu se ishte në gjendje shoku psikologjik ndaj edhe nuk ka dhënë asnjë deklaratë gjatë seancës për masën e sigurisë.
Prokurori Ndriçim Halilaj kërkoi masën e sigurisë “arrest me burg” që gjyqtari Albert Keraj e pranoi ndërsa avokati mbrojtës Anton Kosteri kërkoi interesin më të lartë në shërbim të miturit që lidhet me vlerësimin psikologjik dhe gjendjen e tij.
Detajet e ngjarjes së rëndë
Mësohet se 15-vjeçari është qëlluar vetëm një herë me thikë në zemër, ndërsa ka pësuar hemorragji duke e bërë të pamundur shpëtimin e tij në spitalin rajonal të Shkodrës pasi u dërgua nga një qytetar i rastësishëm.
Ndërkohë, policia vendore e Shkodrës ka arrestuar autorin e dyshuar të kësaj ngjarje të rëndë, shtetasin Klodian Kolbuçi, 15 vjeç, të dy bashkëmoshatar me njëri-tjetrin. Viktima dhe autori frekuentonin të njëjtën shkollë, teksa ishin në vitin e parë në shkollën e mesme profesionale “Hamdi Bushati” në Shkodër, shkruan A2.
Ajo që dyshon policia është se dy të miturit mund të kenë patur konflikt të mëparshëm duke qenë se ishin në të njëjtën shkollë, konflikt i cili përfundoi më pas me ngjarjen fatale. Ndërkohë është zbardhur edhe dëshmia e autorit të dyshuar, shtetasit Klodian Kolbuçi i cili ka deklaruar se viktima e ka goditur me thikë në sup dhe për t’u vetëmbrojtur thikën e cila ka rënë në tokë e ka marrë dhe më pas e ka qëlluar sipas tij me idenë për ta plagosur.
“Qëlluam të dy në lagje dhe Emiljano kishte një thikë në dorë. Ai më qëlloi në sup dhe gjatë përplasjes tonë fizike thika i ra në tokë. Unë e mora nga toka thikën që kishte Emiljano më pare dhe për t’u vetëmbrojtur e qëllova me idenë për ta plagosur dhe më pas u largova nga vendngjarja”, është deklarata e dhënë e 15-vjeçarit Klodian Kolbuçi, i cili u pyet në praninë e psikologut dhe avokatit për shkak të moshës së tij si i mitur, shkruan A2 CNN.
Ndërkohë, viktima Emiljano Gjoni nuk ka arritur që të japë një dëshmi të tij. Vetëm pak minuta pasi u dërgua në spital nuk i mbijetoi goditjes me thikë që kishte marrë në zemër duke humbur jetën. Policia në vendngjarje ka gjetur thikën me të cilën ndodhi plagosja e rëndë me pasojë vrasjen duke e sekuestruar në cilësinë e provës materiale. Pas ngjarjes menjëherë mbërritën forcat e policisë duke nisur hetimet për zbardhjen e plotë, ndërsa arritën të bëjnë të mundur identifikimin dhe kapjen e autorit të dyshuar, 15-vjeçarit Klodian Kolbuçi. Efektivët vijojnë hetimet për zbardhjen e plotë të kësaj ngjarje të rëndë. (A2 Televizion)