Zbardhet debati për përgjimet, Veliaj kërkon lirinë në Apel, vendimi të enjten

Nga Armand Bajrami
12 Mars 2025, 19:22 | Kronikë

Në 3 orë e gjysmë seancë gjatë së mërkurës, kryefjalë ishin provat e reja të paraqitura nga SPAK ditën me herët, disa përgjime të komunikimeve telefonike mes tij dhe familjarëve nga qelitë e paraburgimit të Durrësit.

Sipas prokurorëve, Veliaj kishte orientuar fushata mediatike nga burgu dhe ky fakt tregonte tendencën për intimidim dhe dëmtim të provave nëse lirohej nga masa “arrest në burg”.

Fillimisht, aktet shkresore hasën kundështinë e avokatëve të Veliajt, që pretenduan se nuk mund të paraqiten prova të reja në shqyrtimin në Apel të një mase sigurie e më pas nga vetë kryebashkiaku. Burime brenda seancës me dyer të mbyllura bënë me dije se në komunikimet telefonike të tij nuk kishte asgjë sekrete dhe se ishte i gatshëm t’i thoshte ato publikisht.

“Keni konsideruar prova të reja çimkat dhe telefonatat e mia me djalin dhe familjen dhe interesimin tim për intervista në TV kryesore”, është shprehur Veliaj, duke krahasuar se SPAK nuk kishte konsideruar prova të reja sulmet publike të Sali Berishës, kur e quante Strukturën e Posaçme Organizatë Kriminale, shkruan A2CNN.

Edhe në lidhje me pretendimet e prokurorëve Altin Dumani e Olsi Dado për gjuhën intimiduese të kryebashkiakut në postimet e tij në rrjetet sociale, Veliaj ka nënvizuar se është ende kryetar bashki në detyrë, i votuar nga çerek milioni qytetarë dhe se i qëndron çdo postimi të bërë në rrjetet sociale. Në Apel, Veliaj kërkoi një masë më të butë sigurie se “arresti në burg”, duke mos përjashtuar as masën e ndalimit të daljes jashtë shtetit, apo edhe të lirisë kundrejt garancisë pasurore.

Bashkë me Veliajn Apeli do të vlerësojë kërkesën për liritë biznesmenit Elman Abule dhe ato për shuarje të masës për biznesmenët Gentian Sula, Shkëlqim Fusha dhe Meriman Palushi. Një orë para shpalljes së vendimit për Velian, Apeli do të zhvillojë seancën e radhës për kërkesën e bashkëshortes së tij, Ajol Xoxa, për heqjen e sekuestron ndaj dy llogarive bankare të ngrira me kërkesë të SPAK. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos