Zbardhet dëshmia e 15-vjeçares që u bë nënë

Nga A2 CNN
12 Shtator 2024, 16:48 | Kronikë

Zbardhet dëshmia e 15-vjeçares që u bë nënë

Ndërlikimet shëndetësore të një vajze 15-vjeçare zbuluan një rast të rëndë në Fier, ajo ishte bërë nënë, ndërsa babai i foshnjës ishte një 31-vjeçar.

Sipas asaj që mësohet nga A2 CNN, foshnja ka lindur tri ditë më parë në Qendrën Shëndetësore Fratar, e asistuar nga infermierja dhe mjeku. Por më pas, e mitura, e cila sapo ishte bërë nënë, ka shfaqur probleme shëndetësore dhe për këtë arsye është dërguar në Maternitetin e Fierit.

Sipas raportimeve, nëna e re dhe foshnja gëzojnë shëndet të mirë, por mjekët kanë njoftuar policinë, e cila ka shpallur në kërkim babanë e foshnjës.

15-vjeçarja ka thënë në deklarimet e saj se ka kryer marrëdhënie seksuale me dëshirën e saj me një shtetas dhe ka mbetur shtatzënë. Vajza është shoqëruar gjatë kësaj kohe nga e ëma e cila ka deklaruar në polici se nuk ishte në dijeni të shtatzënisë së vajzës. E mitura është trupvogël dhe foshnja e saj lindi 2,3 kg.

Psikologë të komisariatit dhe Maternitetit të Fierit po asistojnë qëndrimin dhe marrjen në pyetje të vajzës. E mitura u ka treguar fotot e 31-vjeçarit efektivëve të policisë si dhe identitetin e tij por nuk la dhënë sqarime të hollësishme duke kërkuar kohë për t’u qetësuar, raporton A2 CNN.

Në deklarimet e para, e ëma e 15-vjeçares ka thënë se nuk do ta mbajë foshnjën, madje ka kërkuar të largohen bashkë me vajzën duke e lenë vogëlushen e sapolindur në Maternitet. Por stafi mjekësor i ka kërkuar të presin për të dërguar foshnjën në një qendër të posaçme për foshnjat e sapolindura në Tiranë.

Aty do të qëndrojë 40 ditë dhe më pas nëse e ëma nuk e merr, dërgohet në Befotrof. E mitura jeton me të ëmën, vëllain 19 vjeç dhe gjyshin në Fratar të Mallakastrës ndërsa i ati është emigrant në Greqi. Nëna e 15-vjeçares mungon në pjesën më të madhe të kohës pasi punon si kujdestare për një të moshuar. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos