Zbardhet plagosja me armë në Durrës, identifikohet dhe shpallet në kërkim autori, Policia: Në makinë edhe 2 të mitur

Nga A2 CNN
31 Maj 2025, 11:39 | Kronikë

Zbardhet plagosja me armë në Durrës, identifikohet dhe shpallet

Policia e Durrësit ka zbardhur ngjarjen e ndodhur mbrëmjen e djeshme, në zonën “Fllakë e Egër”, ku mbeti i plagosur me armë zjarri 36-vjeçari Arbër Gorgea.

Sipas Policisë ngjarja ka ndodhur gjatë një parakalimi në aksin rrugor “Katër Rrugët e Fllakës–Katund Sukth”, ku një 30-vjeçar nga Kavaja, ka qëlluar me armë zjarri drejt automjetit “Lancia”, në të cilin ndodhej Arbër Gorgea, i cili mbeti i plagosur. A2 CNN shkruan se në makinë ndodheshin edhe dy të mitur, 14 dhe 15 vjeç, të cilët nuk kanë pësuar lëndime.

Ngjarja dyshohet se ka ardhur si pasojë e një konflikti të mëparshëm mes tyre ku mësohet se Gorgea kishte ushtruar dhunë ndaj babait të 30-vjeçarit. Autori është shpallur në kërkim, ndërsa policia po vijon punën për lokalizimin dhe arrestimin e tij.

Zbardhet plagosja me armë në Durrës, identifikohet dhe shpallet

Njoftimi i DVP Durrës

Zbardhet ngjarja e ndodhur mbrëmjen e djeshme, ku mbeti i plagosur me armë zjarri një 36-vjeçar.

Identifikohet dhe shpallet në kërkim autori i dyshuar i ngjarjes.

Specialistët e Seksionit  për Hetimin e Krimeve ndaj Personit në DVP Durrës, në bashkëpunim me Prokurorinë, kanë vijuar veprimet hetimore me qëllim zbardhjen e rrethanave të ngjarjes së ndodhur mbrëmjen e datës 30.05.2025, në aksin rrugor “Katër Rrugët e Fllakës–Katund Sukth”, si dhe për identifikimin dhe kapjen e autorit të dyshuar.

Si rezultat, u bë e mundur zbardhja e ngjarjes, identifikimi dhe shpallja në kërkim e autorit të dyshuar, shtetasit K. K., 30 vjeç, banues në Kavajë dhe vijon puna për kapjen e tij.

Nga hetimet paraprake rezulton se rreth orës 19:30, të datës 30.05.2025, në vendin e quajtur “Fllakë e Egër”, shtetasi K. K., duke lëvizur me automjetin tip “Ford Focus”, ka qëlluar me armë zjarri të dyshuar pistoletë, gjatë një parakalimi, drejt automjetit tip “Lancia”, në të cilin ndodhej shtetasi A. G., 36 vjeç, banues në Durrës. Si pasojë, shtetasi A. G. mbeti i plagosur, ndërsa dy të miturit 14 e 15-vjeç që udhëtonin me të nuk  kanë pësuar lëndime.

Nga hetimet ka rezultuar se disa ditë më parë, shtetasi A. G., ka ushtruar dhunë fizike ndaj babait të shtetasit K. K., i cili ka pësuar dëmtime fizike jashtë rrezikut për jetën.

Vijon puna hetimore në bashkëpunim me Prokurorinë për dokumentimin e plotë ligjor të ngjarjes.

Ndërkohë shërbimet e Policisë po vijojnë punën për lokalizimin dhe kapjen e autorit të dyshuar.

Materialet i kaluan Prokurorisë  Durrës, për veprime të mëtejshme procedurale.

  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos