Një zjarr i përmasave të mëdha është përhapur në zonën e Dhërmiut këtë të enjte. Zjarri ka rënë në një sipërfaqe me pemëtari.
Ndërkohë, era e fortë po favorizon flakët të shkojnë drejt banesave të zonës së Gjilekës, ku janë rreth 30 banesa që rrezikohen në qoftë se zjarri përparon.
Ndërhyrja nga toka është e vështirë dhe në zonë ka mbërritur një helikopter, i cili po punon për vënien në kontroll të flakëve.
“Po punojmë, por zjarri është në përmasa të mëdha. Pjesën më të madhe e kemi bllokuar. Nuk besoj se zjarri do të arrijë në Llogora. Era nuk është në favor. Ju siguroj që zjarri nuk do të shkojë në Llogora”, u shpreh drejtori i Mbrojtjes Civile, Ardian Vreshtazi.
Për situatën e zjarrit në Dhërmi ka reaguar edhe ministri i Brendshëm, Taulant Balla. “Zjarrfikëse dhe Forcat e Armatosura po punojnë për fikjen e një zjarri në një zonë pyjore në Dhërmi”, shkruan Balla në rrjetet sociale. (A2 Televizion)