Policia ka reaguar pas zjarrit me përmasa të mëdha që ka rënë në një sipërfaqe me bimësi në Dhërmi, duke bërë të ditur se shkak mund të jetë bërë një shkëndijë elektrike në linjën e tensionit të lartë.
Policia bën të ditur se është vendosur një perimetër sigurie, ndërsa vijon puna, edhe me ndihmën e helikopterit, për të lokalizuar flakët.
“Sot, në lagjen “Kondraq”, Dhërmi, dyshohet se për shkak të një shkëndije elektrike si pasojë e linjës së tensionit të lartë në këtë lagje, ka rënë zjarr dhe po digjet një sipërfaqe me bimësi të ndryshme dhe shkurre.
Në vendngjarje ndodhen shërbimet e Policisë, të cilët kanë vendosur perimetrin e sigurisë për të shmangur çdo rrezik të mundshëm.
Shërbimet zjarrfikëse, me ndihmën e helikopterit të FA, vijojnë punën për shuarjen e zjarrit në bashkëpunim me punonjës të OSHEE-së dhe efektivë të Policisë Himarë.
Grupi hetimor po punon për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes dhe për përcaktimin e shkakut të rënies së zjarrit”, mbyllet njoftimi i policisë. (A2 Televizion)