
Ministri i Punëve të Brendshme, Besfort Lamallari ka reaguar për situatën e krijuar nga zjarri në Lurë, duke thënë se po vijon lufta intensive me flakët, nga toka dhe nga ajri.
“Forca të Shërbimit Zjarrfikës, efektivë të Policisë së Shtetit, Forcave të Armatosura dhe Emergjencave Civile, janë në terren dhe po punojnë pa ndërprerje nën temperatura ekstreme. Do të vijojmë me të njëjtën vendosmëri deri në neutralizimin e plotë të rrezikut dhe shpëtimin e Parkut Kombëtar të Lurës”, tha Lamallari, përcjell A2 CNN.
Ai u bëri thirrje autoriteteve të drejtësisë që të veprojnë me dorë të hekurt ndaj personave që ndezin zjarre. “Zjarrvënësit e qëllimshëm duhen evidentuar sa më parë dhe plotësisht nga Policia e Shtetit, proceduar dhe ndjekur penalisht me të gjithë vetëdijen e lartë qytetare dhe angazhimin maksimal profesional të çdo prokurori, për vënien përpara drejtësisë dhe ndëshkimin e ashpër sipas ligjit penal të çdokujt që shkatërron pasurinë kombëtare të shumë gjeneratave!”, tha Lamallari. (A2 Televizion)