Prokuroria e Tiranës ka mbyllur hetimet dhe ka dërguar në gjyq dy persona për zjarrin në urgjencën e QSUT, shkurtin e vitit 2024. Sipas njoftimit të Prokurorisë, dy specialistët e sektorit të inxhinierisë klinike pranë QSUNT-së Tiranë, Enea Koka dhe Ejnar Shena, akuzohen për “Shpërdorim Detyre” për zjarrin në godinën e Urgjencës së QSUNT.
“Në kuadër të hetimeve të procedimit penal nr.1578 të vitit 2024, që ka të bëjë me ngjarjen e datës 29.02.2024 ku rreth orës 05:25, në qendrën Spitalore Universitare "Nënë Tereza” Tiranë, në godinën e "Urgjencës së Re", në katin e 2-të të saj, në dhomën teknike kishte rënë zjarr, prokuroria arriti në përfundimin se specialistët me veprimet e tyre nuk kanë zbatuar detyrat e përcaktuara në rregulloren e institucionit si: Funksionimin e sigurt dhe në përputhje me standardet përkatëse të aparaturave dhe pajisjeve mjekësore, ku përfshihen UPS-të dhe bateritë, pjesë integrale e pajisjeve mjekësore; Nuk kanë planifikuar dhe ndjekur me përgjegjësi kryerjen e mirëmbajtjes së aparaturave dhe pajisjeve mjekësore, në përputhje me udhëzimet e prodhuesve e konkretisht të UPS-ve dhe baterive; Nuk kanë parashikuar dhe nuk kanë hartuar projektin teknik lidhur me ventilimin, ajrimin e vendosjen e UPS-ve, raportin teknik të projektimit dhe zbatimit nga zjarri në vendin ku do vendosen UPS-të dhe bateritë”, njofton prokuroria.
Sipas saj, nga aktet e administruara ata kanë qenë në dijeni të faktit që UPS-të dhe bateritë janë vendosur në katin 2-të godinës të Urgjencës se re, jashtë kushteve teknike dhe standardeve që kërkohen nga prodhuesi, për instalimin dhe funksionalitetin e tyre, megjithëse e kanë patur si detyrë funksionale dhe ofrimin e konsulencës teknike.
Në kuadër të këtij procedimi, u krye dhe akti i ekspertimit teknik elektrik, nga i cili ka rezultuar se shkaku i shkatërrimit nga zjarri i godinës së "Urgjencës së Re" në QSUNT ka qenë “mungesa e një projekti të detajuar të instalimit të stacionit të burimit emergjent UPS, të kushteve teknike të sigurisë për zhvendosje dhe instalim si dhe mungesa e zbatimit të kushteve teknike, standardeve të sigurisë dhe mbrojtjes nga zjarri të instalimit të burimit emergjent të UPS, raftit baterive dhe kushteve ambientaliste të shfrytëzimit të tyre”. (A2 Televizion)