
Në një ceremoni të vogël, pa shumë pompozitet, ashtu siç donte familja, është përcjellë për në banesën e fundit aktori i mirënjohur pogradecar i kinematografisë shqiptare, Ilir Shkurti.
Familjarë, miq dhe bashkëpuntorë të tij përcollën mes lotësh një nga emrat e spikatur të skenës së qytetit, i cili u nda para kohe, në moshën 68-vjeçare, për shkak të problemeve me zemrën.
I lindur në Pogradec më 30 dhjetor 1957, Ilir Shkurti ishte pjesë e brezit të aktorëve që kontribuan në skenën e humorit dhe teatrit lokal. Ai u bë i njohur për publikun përmes interpretimeve në Estradën e Pogradecit, ku për vite me radhë solli role humoristike dhe karakteriale që u pritën me dashuri nga publiku.
Përveç skenës së estradës, Shkurti mori pjesë edhe në disa prodhime të kinematografisë shqiptare, mes tyre filmat “Rrethimi i vogël”, “Binarët” dhe “Ngjyrat e moshës”, duke u bërë pjesë e brezit të artistëve që kontribuan në filmat e periudhës së Kinostudios shqiptare.
Ndarja e tij nga jeta është një humbje për jetën artistike dhe kulturore të Pogradecit. Ai do të kujtohet si një artist që i dha humor, energji dhe përkushtim skenës së qytetit të tij. (A2 Televizion)