Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave pasurohet me qindra dokumente mbi veprimtarinë e diasporës shqiptare në Ukrainë.
Drejtori i Arkivave, Ardit Bido, dhe kreu i Shërbimit Arkivor Shtetëror të Ukrainës, Anatolii Khromov, kanë nënshkruar një marrëveshje bashkëpunimi, e cila i hap udhën shkëmbimit të dokumentacionit që hedh dritë kryesisht mbi rolin e mërgatës shqiptarë në Odesë, gjatë periudhës së Rilindjes Kombëtare.
“Është një marrëveshje e rëndësishme me Arkivin Shtetëror të Ukrainës, që i shërben publikut shqiptar në shumë drejtime. Ukraina ka qenë një epiqendër përgjatë Rilindjes tonë Kombëtare. Aty janë zhvilluar një sërë aktivitetesh nga rilindasit tanë. Përtej kësaj, në Ukrainë ka një sërë vendbanimesh shqiptare, që e kanë ruajtur gjuhën, traditën dhe zakonet shqiptare. Nëpërmjet kësaj marrëveshjeje, ne biem dakord ndër të tjera për shkëmbimin e informacionit, sikurse edhe për shkëmbimin e burimeve njerëzore dhe të ekspertizës së përbashkët mes dy institucioneve tona. Ukraina, prej vitesh gjendet në një pozitë të vështirë, për shkak të luftës së padrejtë të zhvilluar aty. Megjithatë, bashkëpunimi ynë ka qenë i vijueshëm, edhe përpara nënshkrimit të kësaj marrëveshjeje. Sot krijojmë instrumentet legale të domosdoshme, në mënyrë që të mund të shkëmbejmë dokumentacionin për të pasuruar arkivat shqiptare lidhur me Rilindjen tonë Kombëtare dhe diasporën tonë shqiptare në Ukrainë”, tha Bido.
“Është një nder i madh për mua të jem këtu sot dhe të kem mundësinë për të firmosur një marrëveshje. Mendoj se kjo është një ditë e shënuar për ne, pasi është vetëm hapi i parë i bashkëpunimit mes nesh. Vendet tona kanë vizione të ngjashme për zhvillimin e sistemeve arkivore. Gjithashtu, koleksionet që ne ruajmë përbëjnë dokumente të rëndësishme, si për ukrainasit, si për shqiptarët. Ky është një takim i rëndësishëm dhe shpresoj se arkivi shqiptar do të sjellë ndryshime të mëdha në fushën e arkivistikës”, deklaroi Khromov. (A2 Televizion)