Frani, e cila pavarësisht se ka lindur grua, ka zgjedhur të jetojë si burrë.
Por, kur Zana, mbesa që ka nën kujdesin e saj ka nevojë për nënë, Franit i duhet të bëjë një zgjedhje të vështirë midis ruajtjes së statusit të një burrneshe apo rigjetjes së ndjenjave mëmësore, që i ka shtypur prej kohësh.
Kjo është historia që prezanton kineasti Andamion Murataj në Festivalin e Filmit në Sarajevë. Regjisori tregon se duke u përballur me një histori të veçantë gjinore është përpjekur të shmangë klishetë ekzotike, që shpesh shoqërohen me narrativat kulturore tradicionale në përshkrimin e burrneshave.
“Që në krye të herës vendosa që në krijimin e grupit të punës ta rrethoj veten me gra dhe vajza krijuese, pa kontributet e të cilave ky film do të ishte i pamundur”, tha Murataj.
Aktoret kryesore të filmit janë: Drita Kaba Karaga, në rolin e Franit dhe 9-vjeçarja e talentuar Alesia Ruçi, në rolin e mbesës së saj.
Programi i Festivalit të Sarajevës përfshin 15 premiera botërore, 6 premiera ndërkombëtare, 28 premiera rajonale dhe 2 premiera kombëtare. Përveç shfaqjes së filmave, një hapësirë e veçantë në festival i kushtohet kremtimit të talenteve kinematografike nga e gjithë bota.
Regjisori italian Paolo Sorrentino do të nderohet me çmimin e nderit “Zemra e Sarajevës” për kontributin e tij të shquar në artin e kinemasë. (A2 Televizion)