Mevlan Shanaj, në një intervistë për “Temp” nga Suela Demiri, në A2 CNN, foli jo vetëm për gjendjen e televizionit sot, por edhe për atë të shoqërisë.
“Unë e bëj me shumë seriozitet punën time. Kam punuar për shumë kohë në televizion, por isha me fat. Ne ishim një grup që e krijuam televizionin. 27 veta ishim, nuk kishte media tjetër. Por, menduam të sjellim modelin e ekranit të kulturës, të filmit, të dokumentarit, të spektakleve... të mos ishim në këto gjërat pa vlerë që sot bëhen më së shumti për spekulim dhe abuzim. Unë bëj pjesë te ata njerëz që i kishim gjërat shumë seriozisht. Ne jemi pak budallenj, por bëjmë gjëra të mira”, tha Shanaj.
Sipas tij, pas viteve ’90, koncepti i demokracisë në Shqipëri u shpërdorua.
“Nuk erdhi siç e priste populli shqiptar, si ëndërr zhvillimi, si ëndërr lirie. Erdhi si sistem anarkik, që vazhdon edhe sot. Kinostudioja ishte e mirë, me baza profesionale dhe u shkatërrua. Por, nuk është vetëm filmi. U shkatërruan shumë gjëra në shumë fusha të jetës. Sot, Tirana është befasi, por është nga iniciativa e individit. Po përjetohet krizë, shumë gjëra janë qëlluar rëndë. Por, besoj se do të vijë koha e mirë”, theksoi Mevlan Shanaj. (A2 Televizion)