Pas daljes nga burgu, Robi ribashkohet me grupin “Robi dhe Trinitrina” për t’u nisur me ta në një turne koncertesh në Shqipëri, Kosovë dhe Maqedoni e Veriut.
Nga lodhja vendosin të kthehen në shtëpinë e të moshuarve, aty ku shumëçka ka ndryshuar. Marina, drejtoresha e re, por po aq edhe politikat e reja me ish-drejtoreshën që është bërë zv/ministre, e nxjerrin shtëpinë e të moshuarve në shitje përmes PPP-së.
Ata do të tentojnë ta blejnë me paratë që kanë fituar gjatë turneut, por Robi mëson se ka humbur gjithçka në firmat piramidale. Do të rikthehen në muzikë me gjithë ritmin që kërkon skena apo do të kërkojnë qetësinë në azilin që ka dalë tanimë në shitje? Kjo është fabula e filmit më të ri të Edmond Topit.
Topi ka bërë bashkë në këtë film një kast të mirënjohur aktorësh, të cilët po aq vijnë në prezantimin e këtij produksioni të ri edhe si në një homazh për Margarita Xhepën.
“Dea Film Festival” sjell në këtë edicion të dymbëdhjetë 34 filma nga 20 vende të botës, prej të cilëve 7 me metrazh të gjatë, 14 filma të shkurtër dhe dokumentarë si dhe 13 produksione studentore. (A2 Televizion)