Djali nga blloku 66, historia e vërtetë e mbijetesës së Moshes në një libër

Nga Luela Myftari
6 Qershor 2024, 17:04 | Kulturë

Limor Regev nuk është një shkrimtare, por një kërkuese shkencore. Izraelitja bëri bashkë me një libër, ambasadën çeke edhe diplomaten izraelite. Mesazhi që mbërrin përmes historisë së Moshes, një të mbijetuari të Holokaustit, atëherë 13 vjeç e sot mbi 90, është një histori e vërtetë që bën thirrje për humanizëm. 

“Kur po e shkruaja këtë histori nuk e mendoja që do të përkthej në disa gjuhë të botës dhe jam shumë e lumtur që ndodhem sot edhe në Shqipëri. Kisha dëgjuar histori që tregojnë se çfarë kanë bërë shqiptarët për hebrenjtë gjatë Holokaustit, si i pritën, si i mbrojtën, ndaj edhe ndihem vërtetë mirë që sot jam këtu në ambasadën çeke për këtë histori të vërtetë të rrëfyer në libër, por përmes lidhjes Skype edhe me personazhin real të kësaj historie, djalin e bllokut 66”, shprehet shkrimtarja. 

Blloku 66 është një kamp, një vendqëndrim ku hebrenjve u jepeshin punë të rënda në miniera, ku shumëkush humbi familjen njëlloj si në moshën 13-vjeçare. Vetëm autorja e ka dëgjuar historinë fillimisht nga nipi i Moshes, që festonte 13-vjetorin e më pas nga vetë djali i atyre viteve që sot dëshiron të lërë dëshminë e tij për atë që ka ndodhur: “Është një histori që në këto kohë në fakt flet për humanizëm. Ngjarjet ku zhvillohet fëmijëria e Moshes dhe ngjarjet e romanit nisin në Çekosllovaki, që pas luftës u bënë të Çekisë. Ndaj, sot jemi në Ambasadën e Çekisë. Çuditërisht, sot vendi ku u rrit Moshe është në Ukrainë. Duket e çuditshme se si ndryshojnë kufijtë, jetët e njerëzve, nga konfliktet. Ky është një libër që në thelb ka humanizmin”. 

Botimet Jozef kanë zgjedhur që këtë kohë konfliktesh të rrëfejnë edhe një histori mbijetese, një histori të shpresës që vjen përmes romanit biografik “Djali nga blloku 66”. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos