Ambasadorët më të mirë, thuhet shpesh, janë artistët dhe sportistët. Janë ata që, përtej flamujve, japin edhe mesazhe të rëndësishme. Një ekip me ëndrra mund t’ia dalë. Kështu edhe një grup fotografësh të rinj nga Ballkani Perëndimor i janë bashkuar një misioni të Delegacionit Europian, që i ftoi në një konkurs artistik, një projekt që sot na rrëfen, përmes 18 imazheve në Shtëpinë e Europës, sa ëndrra po aq edhe mesazhe unifikimi drejt Europës, shkruan A2 CNN.
“Sot nuk jemi mbledhur për të parë se si janë ekspozuar fotografitë e këtyre të rinjve nga Ballkani Perëndimor, por t’u japim atyre një zë. I kemi pyetur: Si ju duket Europa? Si do të vraponit drejt saj? Çfarë mund të bëjmë më mirë? Tema ishte sporti, për shkak të punës në ekip dhe unifikimit për sukses, por të rinjtë me këto fotografi kanë thënë jo pak”, tha Silvio Gonzato, ambasadori i Bashkimit Europian në Shqipëri.
Armando Babani, fotoreporter dhe anëtar i jurisë së fushatës, tregoi se mes 200 aplikimeve vendosën të ekspozojnë 18 fotografitë më të mira në Shtëpinë e Europës në Tiranë, ashtu siç ka ndodhur edhe në Beograd, Podgoricë dhe Shkup.
Kampionia Klodiana Shala ishte një nga folëset e këtij eventi, që bëri bashkë të rinj në imazhe dhe në dëshirën e aspiratën për të qenë bashkë në rrugën europiane, njëlloj si dikur kur garonte në një Europë që i mësoi shumë. Madje edhe ta ngrejë zërin për padrejtësitë apo kushtet në të cilat gëlojnë, punojnë, stërviten e thurin ëndrra ende sportistët shqiptarë. (A2 Televizion)