Stina e verës nuk është vetëm det dhe plazh. Zonat malore janë po aq të frekuentuara nga pushuesit, sidomos nga fanatikët e natyrës dhe ata që duan ti largohen vapës, zhurmës dhe mbipopullimit të bregdetit.
Po udhëtojmë drejt Luginës së Valbonës, në zemër të Alpeve në veri të vendit. I nxehti këtu nuk ekziston ndërsa e ngjyra e gjelbër të shfaqet kudo, me të gjitha nuancat e saj.
Janë të shumtë turistët që ndeshëm gjatë udhëtimit tonë në Valbonë. Grupe të rinjsh nga Kanadaja, Hungaria, Spanja e Kosova pranë, kanë zgjedhur që këto ditë vere t’i kalojnë në Alpet e Shqipërisë. Jo vetëm ecje në natyrë, ngjitje në male por edhe plazh ujërat e kristalta të Valbonës. Përgjatë brigjeve të Valbonës turistët, vendas dhe të huaj, duan të zbulojnë thesaret natyrore dhe kulturore të kësaj lugine.
Një prej tyre është Vrella e Shoshanit, burimi më i madh ujor në Ballkan, i cili ndodhet në hyrje të luginës, katër kilometër larg qytetit të Bajram Currit.
Uji i akullt dhe i kristaltë rrjedh pa pushim nga zemra e malit duke krijuar një atmosferë të veçantë.
Pikërisht në këtë rrjedhë ndodhet Mulliri i Currit, monument trashëgimisë kulturore. Ky objekt mbi 120 vjeçar dikur ishte qendra e jetës së përditshme për malësorët e zonës. Sot mulliri e ka humbur funksionin e tij. Ai është kthyer në një pikë ndalese për qindra turistë të cilët që e vizitojnë nga afër .
Por edhe pse pika shumë tërheqëse për vizitorët vendas dhe te huaj, Vrella e Shoshanit, monument natyror, dhe Mulliri i Currit, monument kulturor, janë në rrezik nga mungesa e mirëmbajtjes dhe investimeve.
Por investimet i ndeshim diku më tutje, në një nga rrugët më rrahura të Luginës së Valbonës. Segmenti Ura e Valbonës–Fusha e Gjësë po zgjerohet, për t’i dhënë mundësi këmbësorëve dhe drejtuesve të biçikletave të lëvizin lirshëm në korsitë e tyre.
Zgjerimi i rrugës pritet të lehtësojë qarkullimin për banorët vendas por edhe për vizitorët që zgjedhin Parkun Kombëtar për ecje malore, çiklizëm , pushim në natyrë dhe në zemër të Alpeve.
Në Valbonë po kthehen edhe vendasit, dikur të larguar në emigrim. Kanë vendosur të investojnë në vendlindje për të zhvilluar turizmin dhe zonën e tyre, ashtu si ky rast investimi buzë Valbonës. Te shumtë janë pushuesit që zgjedhin të pushojn ënë freskine dhe brigjet e Valbonës.
Zhvillimi i turizimit në këtë zonë i ka dhënë hov edhe punës së guidave mjaft të rëndësishme për shoqërimin dhe orientimin e vizitorëve në Alpet e Shqipërisë.
”Shoqata "Pashtriku" ka ndihmuar në organizimin e grupeve, guidave dhe bashkëpunimit me komunitetin lokal.
“Kemi ngjitur pothuajse të gjitha majat e Alpeve. Kudo na kanë pritur mirë. Banorët e zonës na ndihmojnë gjithmonë, prandaj nuk kemi hasur kurrë në vështirësi” .
Por Valbona nuk është vetëm natyrë. Në mbrëmje, lugina kthehet në një festë. Rrethuar nga malet dhe nën dritat e zbehta të verandave, turistët zhvillojnë xhiron e mbrëmjes. Ndërsa nuk e fshehin për asnjë moment se kanë bërë zgjidhjen e duhur për të vizituar këtë vend mahnitës dhe me njerëz shumë miqësorë.
Ditët e verës e kthejnë Valbonën në një pikë takimi për qindra vizitorë, vendas dhe të huaj, ndërsa “K`cimi I Tropojës” që kumbon mes Alpeve të kujton se tashmë ajo është pasuri e gjithë botës. (A2 Televizion)