"Fest Folk 2024" është organizuar në Pukën turistike. Artistët më në zë të qarkut Shkodër, dhuruan emocione dhe një mbrëmje magjike për të pranishmit, ku kryefjalë ishin këngët burimore, kostumet dhe vallet tradicionale, që përfaqësojnë traditat dhe vlerat që kanë këto zona.
Nga tingujt e lahutës, tek çiftelia, kënga e bukur shkodrane dhe vallet e motivet tradicionale, i dhanë kësaj nate një tjetër dimension, duke e shndërruar sheshin kryesor të bashkisë Pukë, në një amfiteatër vlerash.
Gjatë aktivitetit u vlerësua një prej artistëve të njohur të Pukës, koreografi Riza Hoxha.
Për të zotët e shtëpisë, dy kryebashkiakët Rrok Dodaj i Pukës dhe Hilë Curri i Fushë Arrëzit, kjo mbrëmje vlerash, dëshmon bashkëpunimin e mirë me këshillin e qarkut.
I nisur me Vaun e Dejës dhe më pas Pukën, ky organizim do të shtrihet në të gjitha bashkitë e qarkut Shkodër me qëllim promovimin e turizmit dhe vlerave të trashëgimisë historike, kulturore dhe etnografike./ A2 CNN (A2 Televizion)