Fjetja e Hyjlindëses në Zvërnec, lutjet e pashkës së verës në manastirin e Shën Marisë

Nga A2 CNN
15 Gusht 2025, 20:35 | Kulturë

Festimet nisën mbrëmjen e 14gushtit me ndezjen e qirinjve dhe lutje në atmosferë solemniteti, për të kulmuar me meshën e shenjtë dhe procesionin tradicional.

Prifti i manastirit, At Jani Tereziu, tregoi se lutjet e këtij viti ishin të gjitha për ata që kanë pësuar dëme nga zjarret, për familjet e prekura nga fatkeqësitë, si dhe për të gjithë ata që vijojnë të luftojnë me flakët. 

“Kjo është një ditë e shenjtë që na mbledh për të reflektuar dhe për të dhënë shpresë. Sot lutjet tona shkojnë për ata që vuajnë dhe për ata që rrezikojnë jetën e tyre për të mbrojtur të tjerët”.

Qytetarët që prej vitesh e ndjekin këtë traditë janë edhe më të lumtur kur shohin se ky manastir tanimë po vizitohet edhe nga turistët e huaj. 

“Kam shumë vite që vij këtu. Dikur ishin më shumë vendas, por tani shoh edhe të huaj që luten e u plotësohen dëshirat. Është një vend i bekuar”.

Edhe kryetari i Bashkisë së Vlorës, Ermal Dredha u bë pjesë e kësaj tradite ku lutja i bën bashkë të gjithë.

“Kjo është një ditë e shënuar, ku të gjithë luten dhe falen. Sivjet kemi pasur edhe më shumë qytetarë që kanë ardhur nga vende të ndryshme. Manastiri i Zvërnecit mbetet një pasuri e jashtëzakonshme për Vlorën dhe ne do të vazhdojmë ta promovojmë dhe ta mbështesim”, u shpreh Dredha.

Manastiri i Zvërnecit, një monument kulture i shekullit XIV i ndërtuar në stilin bizantin, ndodhet në zemër të lagunës së Nartës dhe është i rrethuar nga një peizazh mahnitës. Përveç vlerës shpirtërore, ai mbetet një atraksion i rëndësishëm turistik për Vlorën, duke tërhequr çdo vit mijëra pelegrinë e vizitorë. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos