Ky gusht pritet të jehojë muzikën më trend e baladat më të bukura të muzikës shqiptare në Shkodër.
Dhe festa nuk kishte si të niste ndryshe përveçse me kryefjalën e këtij viti, Shkodrën Elektronike. Nga Eurovizioni ku nuk munguan elementet e muzikës tradicionale, te Shkodra e tyre, skena në sheshin para bashkisë ka bërë bashkëqytetarë e turistë që kanë shijuar atmosferën e krijuar jo vetëm nga Shkodra Elektronike, por edhe nga Ledri Vula, shkruan A2.
Drejtorja e Kulturës në Bashkinë Shkodër, Sara Smaja, u shpreh se që nga nisja e sezonit veror, qyteti ka përjetuar një seri eventesh festive duke siguruar se edhe në ditët dhe javët në vijim, në çdo zonë turistike të Shkodrës do të organizohen koncerte dhe aktivitete me emra të njohur të artit shqiptar.
Koncertet e verës të organizuara nga Bashkia Shkodër do vijojnë të jenë epiqendra e argëtimit këtë sezon, një skenë e hapur ku muzika, kultura dhe turizmi bashkohen.
Nga mbrëmja e së premtes, edhe Kalaja e Rozafës do të presë një koncert me këngë të bukura thurur për dashurinë. (A2 Televizion)