Galeria e Tiranës, laboratori, ngjizja e konstelacioni në një ekspozitë

Nga A2 CNN
4 Shkurt 2026, 14:20 | Kulturë

Në thelb të ekspozitës më të re në kryeqytet qëndron qelqi jo si efekt dekorativ, por si gjendje fizike e brishtësisë, transparencës dhe tensionit mes formimit dhe thyerjes, njëkohësisht mes shumë ndjesive.

“Është shumë interesante se si çdo ekspozitë ose çdo proces i cili ka të bëjë me përballjen, me tregimin të së vërtetës tënde ose me vulnerabilitetin, mund të të aktivizojë dhe mund të të krijojë emocione të ndryshme. Në momentin që çdo gjë, le të themi, prezantohet kur vepra i jepet publikut, pa diskutim emocionet që ndjej janë qetësi. Por çdo gjë tjetër mbrapa ka qenë një akumulim edhe një "rollercoster" e emocioneve të ndryshme”, thotë për A2 CNN artistja Joana Dhiamandi.

Ekspozita Konstelacion nisi si një sistem marrëdhëniesh që zgjerohet gradualisht në hapësirë dhe kohë duke i dhënë mundësinë secilit nga ne për interpretim, përfshirje dhe përjetim personal në tre dhomat e galerisë së Tiranës.

Së paku kështu e shpjegon artistja Joana Dhiamanti. “Ekspozita e konstelacionit ka si qëllim më shumë sesa të tregojë një proces linear të mënyrës time të krijuarit, të japë një lloj hapësire dhe mjedisi ku njerëzit të ndjejnë, të ndërveprojnë me materialin e qelqit. Qelqi është materiali im kryesor, jo thjesht si material, por duke marrë tiparet e brishtësisë, e transparencës, faktit që është shumë i thyeshëm dhe në dhomën e parë e cila është laboratori është pikërisht akumulimi i një hapësire që ka shumë dyshime, dështime, tensione, përpjekje dhe ato manifestohen në forma të cilat janë qoftë më lirike, por tentojnë të bëhen pak më abstrakte”, shpjegon Dhiamandi.

“Dhe gradualisht kalojmë tek dhoma e dytë e cila është dhoma e ngjizjes aty marrëdhënia është totalisht jo vizuale. Kalojmë në një përjetim më tepër akustik. Tingulli është i pari. Është ajo frekuenca të cilën lexon trupi. Është shumë e rëndësishëm që përgjatë kësaj ekspozite ju të ndiheni të pranishëm më shumë sesa të interpretoni dhe të shikoni dhe të kuptoni cilat janë emocionet që secila dhomë ju krijon. Dhoma e tretë është dhoma e konstelacionit. Është dhoma ku elementët e brishtësisë, thyerjes të copëzave fillojnë dhe krijojnë një marrëdhënie. Nuk janë produkte, por janë një sistem marrëdhëniesh të cilët fillojnë edhe ndërveprojnë. Në disa objekte janë kinetike, mund t'i lëvizni, disa objekte thjesht mund t'i vëzhgoni, në disa thjeshtë duhet të kuptoni se çfarë ju bëjnë të ndjeni”.

Ekspozita e kuruar nga artisti dhe pedagogu Ardian Isufi është çelur mbrëmjen e 3 shkurtit, por do ta presë publikun në galerinë e Tiranës deri më 22 shkurt. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos