Projektet që pritet të zbatohen. Blendi Gonxhja prezanton vizionin për turizmin, kulturën dhe sportin

Nga Marjo Brakaj
3 Shkurt 2026, 17:57 | Kulturë

Nga planet për një model të ri turizmi te strategjia për rijetësimin e kulturës bashkë me projektet për të kthyer sportin në funksion të rritjes ekonomike... ministri Blendi Gonxhja shpalosi vizionin e institucionit që ai drejton në drejtim të zhvillimit të këtyre sektorëve në vijim në të parën konferencë për media që nga marrja e detyrës.

“Rritja e imazhit të Shqipërisë ndërkombëtarisht, e vizitueshme 365 ditë të vitit, është themeli i punës dhe përpjekjeve tona. Bashkimi i Kulturës, Rinisë dhe Sportit flet qartë për sinergjinë organike dhe natyrshmërinë e sektorëve në organika dhe mision”. Shumëfishimi i mbështetjes për institucionet dhe skenën e pavarur artistike, mirëmbajtje e projekte, investime në infrastruktura dhe përmirësim eksperience vizitorësh, restaurime zonash e objektesh historike”, tha Gonxhja, shkruan A2.

Ministri Blendi Gonxhja foli për investimin në ishullin e Sazanit, projektin “TID” në Durrës apo burgun e Spaçit: “Ne jemi në pritje të udhëzime nga AIDA mbi investimet në Sazan dhe ne do të vijojmë me detyrat tona. Rëndësia e projektit është e jashtëzakonshme, na superon, është përtej nesh. Nuk diskutohet që një ndërhyrje do të ketë. Këto sakrifica do të jenë disa objekte. Mendohet se mund të duhen deri në 6 milionë euro për një ndërhyrje në Spaç. Edhe ajo do të jetë fillestare, jo e plotë”.

Pas dekadash në periferi të vëmendjes ndërkombëtare, Shqipëria po kthehet në një destinacion të lakmuar për prodhime filmike globale. Interesi i kompanive të huaja po bëhet real, ndërsa ministri Gonxhja tregoi mbi projektet filmike që pritet të zbatohen në vijim: “Prania e kompanive gjigante dhe fillimi i bashkëpunimeve konkrete do të krijojë mundësi të reja punësimi, do të rrisë kërkesën për profesionistë të specializuar dhe do të nxisë investime në infrastrukturën filmike, një terren deri më tani i pashfrytëzuar plotësisht në Shqipëri”.

Në drejtim të turizmit, gjatë këtij viti synohet formalizimi i tregut të njësive akomoduese me qira afatshkurtër. Po ashtu, ministri Blendi Gonxhnja deklaroi gjatë konferencës se investimet me 4 dhe 5 yje me status special nuk do të jenë të përqendruara më vetëm në bregdet, por edhe përtej. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos