Ndahet nga jeta në moshën 82-vjeçare aktori Fitim Makashi, babai i Redon Makashit

Nga A2 CNN
31 Janar 2026, 22:44 | Kulturë

Ndahet nga jeta në moshën 82-vjeçare aktori Fitim Makashi,

Është ndarë nga jeta në moshën 82-vjeçare aktori Fitim Makashi, babai i këngëtarit Redon Makashi.

Fitim Makashi lindi më 10 prill 1944 në Gjirokastër. Në vitin 1963 nisi studimet në Institutin e Lartë të Arteve në Tiranë për aktor dhe mbaroi në 1967. Për një kohë të gjatë punoi si pedagog në ILA dhe në të njëjtën kohë pati një angazhim të herëpashershme në Teatrin Popullor. Zyrtarisht ishte viti 1978 kur u emërua aktor në këtë Teatër, vendi ku vazhdoi karrierën artistike si aktor për rreth 12 vjet, saktësisht deri nga mesi i viteve '90, shkruan A2.

Gjatë kësaj kohe realizoi një sërë rolesh që lanë gjurmë në skenën e teatrit, nga ku ku kujtojmë rolin e Pedagogut në “Pas provimit të dytë” , Drejtori i fermës në “Ata që duhen”, roli i Benit tek “Vdekja e një komisioneri”, Bedriu tek “Dritat e skenës”, Telhai tek “Besa”, Filipoviç tek shfaqja “Inspektori” që mbahet edhe si roli i fundit i tij në Teatër.

Fillimet në film i kishte që në vitin 1967 me një rol episodik të një marinari në filmin “Dueli i heshtur”, duke vazhduar me filmat e tjerë si “Prita” (1968) “Njësiti gueril” (1969) “Ndërgjegja” (1972) “Rugicat që kërkonin diell” (1975) “Në fillim të verës” (1975) “Ilegalët” (1976) “Nga mesi i errësirës” (1978) “Intendenti” (1980) “Gjurmë në kaltërsi” (1981) “Tre njerëz me guna” (1985) “Shpella e piratëve” (1991) “Vdekja e kalit” (1992). (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos