
Në Galerinë e Artit Dixhital, kolosi i letrave shqipe u “rikthye” për publikun përmes inteligjencës artificiale, duke krijuar një përvojë unike për të pranishmit. Deon Gjoka nga Korça është vetëm12 vjeç dhe përmes teknologjisë ka risjellë me figurë e zë një mesazh nga Kadare. Ky krijim përmes inteligjencës artificiale është një nga idetë e përcjella në 90-vjetorin e lindjes së shkrimtarit të madh.
"Sot kam realizuar dokumentarin për Ismail Kadarenë dhe avatarin e tij që flet, ishte pak e vështirë pasi ishte më i ndërlikuar krahasuar me videot e tjera që kam bërë. Kadarenë e njihja pak, por jo thellësisht, tani punova me veprat e tij e njoh më mirë", shprehet nxënësi Deon Gjoka.
Mësuesja e letërsisë, Albana Panolli, vlerëson se aktivitete të tilla janë një mënyrë efektive për t’i afruar nxënësit me librin dhe autorët shqiptarë, duke e bërë letërsinë më tërheqëse për brezin e ri.
"Fëmijët nuk e njohin Kadarenë, përveçse në tekstet që janë në librat shkollore, por duke organizuar aktivitete të tilla ne japim mesazhe, që ata njohur Kadarenë si një gjenial të letrave shqipe, si një prej autorëve më të mirë shqiptare dhe që na përfshiu në hartën artistike të Evropës. Përmes këtyre aktiviteve fëmijët bëhen më të më të vetëdijshëm, më të mirë, më empatikë ndaj na duhen më tepër aktivitete të tilla", shprehet mësuesja e letërsisë Albana Panolli.
Në këtë aktivitet kulturor, nxënësit e shkollës 9-vjeçare “Sevasti Qirjazi” interpretuan pjesë të ndryshme nga krijimtaria letrare e Ismail Kadaresë, duke dëshmuar se vepra e tij vijon të frymëzojë edhe brezat më të rinj. (A2 Televizion)