Teatri “Migjeni” në Shkodër shfaqi premierën “Duke pritur djalin”, një vepër me tekst nga Lorin Terezi dhe regji nga Anila Balla. Përveç trajtimit emocional dhe njerëzor të temës, shfaqja solli për herë të parë në këtë skenë edhe përdorimin konceptual të inteligjencës artificiale si rol dramaturgjik. Imagjinoni dy prindër të cilët janë në pritje të djalit të tyre.
Në pamundësi të përgjigjeve për pyetjet që kanë, ato zgjedhin të pyesin Inteligjencën Artificiale. A do t’i mbushë me shpresë Chat GPT? ky është boshti në të cilën është ndërtuar shfaqja më e re teatrale “Duke pritur djalin”, një vepër me tekst nga Lorin Terezi dhe regji nga Anila Balla.
Inteligjenca artificiale, interpretuar në formë simbolike nga aktori Marsel Paplekaj, i cili shfaqej si një “hije” skenike, duke komunikuar me një gjuhë dhe logjikë tipike të IA-së krijonte dialogun e vazhdueshëm me personazhet njerëzore, që vijnë nën lojën aktoriale të Mjeshtres së Madhe Merita Smaja dhe Astrit Fanit.
Kjo lojë skenike mes dramës, reflektimit dhe simbolikës moderne, është mbështetur nga Fondi Kulturor Zvicerian, për Javën e saj kulturore që prej vitesh nuk sjell artistë të huaj në vendin tonë, por mbështet skenën e pavarur të artistët shqiptarë. (A2 Televizion)