Ka ndërruar jetë në moshën 89-vjeçare regjisori i shquar Dhimitër Anagnosti, një nga figurat më të rëndësishme të kinematografisë shqiptare. Gjatë një karriere që shtrihet mbi katër dekada, ai realizoi 14 filma artistikë dhe 10 dokumentarë, duke lënë një trashëgimi të çmuar në artin shqiptar.
Karriera e tij nisi në vitin 1961 si operator në Kinostudion “Shqipëria e Re”, me filmin “Debatik”, për të vijuar më pas me “Toka jonë” dhe dokumentarin e parë me ngjyra në Shqipëri, “Gurët dekorativë”. Debutimi si regjisor erdhi në vitin 1966 me filmin “Komisari i dritës”, në bashkëpunim me Viktor Gjikën, ndërsa një vit më vonë, realizoi filmin e parë si regjisor i vetëm, “Dueli i heshtur”.
Për kontributin e tij të shquar, ai është nderuar me titullin “Artist i Popullit” në vitin 1987, si dhe me Kupën e Karrierës në Festivalin e 10-të të Filmit Shqiptar.
Përveç kinemasë, ai kontribuoi edhe në teatër me dramën “Nata e trokitjeve në xham” në vitin 2001, si dhe në jetën kulturore shqiptare nëpërmjet Fondacionit “Fan Noli”, që ai themeloi dhe drejtoi, duke mbështetur intelektualët dhe artistët shqiptarë brenda dhe jashtë vendit.
Filmi i tij i fundit, “Gjoleka, djali i Abazit” (2006), u prit me entuziazëm dhe fitoi dy çmime ndërkombëtare në Itali, duke përmbyllur me sukses një karrierë të lavdishme artistike.
Filmografia e Dhimitër Anagnostit përfshin:
Gjoleka, djali i Abazit (2006)
Kthimi i ushtrisë së vdekur (1989)
Përrallë nga e kaluara (1987)
Gurët e shtëpisë sime (1985)
Kujtime nga Gjirokastra (1983)
Vëllezër dhe shokë (1982)
Në shtëpinë tonë (1979)
Monumenti (1977)
Lulëkuqet mbi mure (1976)
Kur hiqen maskat (1975)
Cuca e maleve (1974)
Përjetësi (1974)
Motive nga dita e diel (1973)
Malet me blerim mbuluar (1971)
Parafabrikatet (1970)
Plagë të vjetra (1968)
Duel i heshtur (1967)
Komisari i dritës (1966)
Njeriu kurrë nuk vdes (1961) (A2 Televizion)