Kostume shumëngjyrëshe, kërcime e muzikë pushtuan rrugët e Londrës perëndimore në ditën e fundit të karnavaleve vjetore të Notting Hill, një prej festave më të madha të rrugës në botë.
Banorët e Notting Hill thonë se komuniteti punon me gjithe zemër për këtë ngjarje, e cila sipas tyre është një kujtesë e rëndësishme e tolerancës dhe diversitetit në një kohë kur protestat kundër emigracionit po shtohen në Britaninë e Madhe.
Edicioni i 57 i karnavaleve që i kushtohen diversitetit të qytetit dhe mënyrës se si gjenerata emigrantësh kanë kontribuar në shoqërinë britanike, ishte parashikuar të tërhiqte më shumë se një milion njerëz.
Ato janë një homazh për kulturën karaibike dhe historinë dhe janë mbajtur në Londër për më shumë se 50 vite.
Karnavalet janë përballur me një sërë sfidash financiare, dhe organizatori i tyre Ian Comfort paralajmëroi më herët se eventi kishte qenë shumë pranë mbylljes këtë vit.
Shqetësime janë ngritur lidhur me çështje të sigurisë, veçanërisht menaxhimin e turmës, diçka që kërkon financime shtesë. Po ashtu problem mbeten incidentet e dhunshme që përfshijnë një numër të vogël pjesëmarrësish. (A2 Televizion)