“Valsi i luleve” mbush me magji “Petro Markon”

Nga Edi Ruçi dhe Gazmend Janku
30 Janar 2026, 11:56 | Kulturë

Një natë magjike është cilësuar nga spektatorët vlonjatë shfaqja e “Valsit të Luleve” nga trupa e Baletit të Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit. Një udhëtim koreografik me fragmente nga repertori i baletit klasik, i ndërthurur me elementë të gjuhës bashkëkohore të lëvizjes, është ndjekur nga spektatorë të shumtë në sallën e teatrit.

Edhe vetë protagonistët e ndjenë ngrohtësinë e publikut ndaj shfaqjes. Aulon Naçi, drejtor i TKOB-së, dhe Enada Vaso, koreografe, vlerësuan reagimin pozitiv të publikut.

“Për mua është kënaqësi. Nuk është hera e parë. Është e disata herë kemi ardhur me operan Traviata me një mbrëmje gala para disa muajve dhe ardhja gjithmonë në teatrin Petro Marko për mua është kënaqësi jo vetëm për qytetin e Vlorës, për këtë teatër që ka një histori të jashtëzakonshme, por dhe për mua si artiste që më presin me kaq dashuri edhe që iu fal emocion sa herë që unë kërcej dhe jam prezent këtu dhe gjithandej. Kështu që unë i falënderoj shumë për pritjen dhe për duartrokitjet”, tha ajo.

Përveç publikut vendas, nuk mungonin as turistët dhe të huajt që jetojnë në Vlorë.  “Origjina ime është nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, por jetoj në Vlorë prej tetorit. Sot, në shfaqje, më pëlqeu numri që u dha në mesin e saj, një performancë mes një djali dhe një vajze. Mendoj se ishte shumë dramatike. Nuk ua di emrat, por ishte një performancë shumë e mirë”, tha një turist amerikan.

“Më pëlqeu shumë baleti. Unë kërcej për jetën time. Realisht doja të kërceja sërish. Jam nga Australia, por jetoj këtu. Qyteti është i mrekullueshëm”, tha turistja australiane.

“Vij nga Milano. Jam tepër i lumtur që më ftuan në këtë shfaqje të mrekullueshme. Vërtet një shfaqje shumë e bukur, një shfaqje profesioniste. Jam me pushime këtu, por e shijova shumë”, u shpreh një turist nga Italia.

Në të gjitha shfaqjet e dhëna nga trupa e Baletit të Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit, salla e Teatrit “Petro Marko” në Vlorë ka qenë e tejmbushur, çka tregon një pëlqim të veçantë të publikut vlonjat ndaj baletit. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos