Artistja e njohur Ermira Babaliu u rikthye në skenën e Pogradecit në një koncert të veçantë, ku u prit me shumë ngrohtësi nga spektatorët dhe pushuesit.
Emocione, duartrokitje dhe mall për publikun pogradecar. Këto janë fjalët që e përshkruajnë Ermira Babaliun teksa rikthehet jo vetëm në vendlindje, por edhe në skenën artistike me të cilën jeton në kujtime.
“Të këndosh në Pogradec është sikur, bashkë me zërin tënd, të vijnë edhe tingujt e gjolit. Merr frymën e kësaj bukurie dhe ngopesh me përqafimet e spektatorit, të cilat më kanë munguar shumë.”
Babaliu foli edhe për misionin e saj artistik në këtë fazë të karrierës, duke thënë se tanimë dëshiron të mbështesë artistët e rinj.
“Falënderoj Zotin dhe publikun; tani dua të promovoj të rinjtë, ky është një mision për mua.”
“Për mua është privilegj shumë i madh të këndoj krah Ermirës, e kam thënë gjithmonë. Janë eksperiencat e mia më të bukura dhe shtysa më e madhe në fillimet e karrierës sime. Normalisht, është një shtysë e madhe për mua.”
Koncerti i Babaliut ishte një miks muzikor mes serenatave, muzikës rock dhe asaj popullore, që i mbajti të pranishmit të mbërthyer për më shumë se dy orë. (A2 Televizion)