Pas festivalit ku jehoi komedia në skenën teatrale, Korça është gati të presë Short Film Festival. Filma nga 41 shtete të botës do të mbërrijnë në këtë qytet që me festivalin ka edhe mision të rihapë dyert e kinemasë së vetme të qytetit, kinemasë që qëndronte e mbyllur prej vitesh.
Drejtor i këtij festivali, Gledis Bica, tregon për A2 se numri i filmave shqiptarë pjesëmarrës po rritet nga viti në vit, ndërsa cilësia vjen duke u rritur: “Ky është edicioni i 12 i Korça Short Film Festival. Këtë vit janë përzgjedhur 81 filma në total, nga 41 shtete të ndryshme. Janë 6 kompeticione. Cilësia është gjithmonë në rritje, nuk kemi numrat që dëshirojmë çdo vit, ka 5-6 filma të ndryshëm. Qendra e kinematografisë ka mbështetur disa prej tyre, këtë vit kemi më tepër nga shqiptarët e Shqipërisë”.
Pjesë e jurisë u bë regjisori i njohur turk, njëkohësisht koordinator i festivalit më të madh të filmit me metrazh të shkurtër në Turqi, ndërsa një tjetër regjisor austriak vlerëson mikpritjen që u është bërë artistëve të huaj në Shqipëri: "Është hera ime e tretë në Shqipëri dhe hera e parë në Korçë. Kemi diskutuar bashkëpunimet e mundshme me drejtuesit e këtij festivali, pasi unë jam koordinatori i festivalit me të madh të filmit në Izmir të Turqisë. Është e rëndësishme të krijojmë ura bashkëpunimi dhe mundësi për qytetin e Korçës, por edhe për artistët për t'u promovuar”.
Regjisori Eyup Kus thotë: “Vij nga Austria si krijues i një filmi eksperimental. Është hera ime e parë në këtë festival. E shfrytëzuam kohën dhe pamë Shqipërinë, një mikpritje e pazakontë. Filmi im flet për fasadat e njerëzve, për dukjen që është e rëndësishme sot në botën moderne dhe si ndikon ajo në botën shpirterore të njerëzve".
Festivali Ndërkombëtar i Filmit me Metrazh të Shkurtër do të shfaqet për 8 ditë në Korçë, në kinema "Majestic", kinemaja e vetme në juglindje që qëndron e mbyllur prej vitit 2018.
(A2 Televizion)