“Glance off it” në Durrës, ekspozita e fotografit italian Fabrizio Loiacono

Nga A2 CNN
6 Shtator 2025, 14:05 | Kulturë

Në Hamamin Mesjetar të Durrësit është çelur ekspozita fotografike “Glance off it” e fotografit  italian Fabrizio Loiacono. Me një karrierë mbi dy dekada dhe dhjetëra çmime ndërkombëtare, Loiacono sjell në qytetin bregdetar 16 punime të artit abstrakt. Vetë autori Loiacono tha se arti është një gjuhë universale që e bën Shqipërinë pjesë të një dialogu të përbashkët kulturor.

“Kjo ekspozitë ka lindur në vitin 2014 në Romë, në qendër të Romës. Më pas u ekspozua edhe në Venecia. Më vonë erdha këtu në Durrës sepse vura re se ekziston një interes i madh në nivel kulturor dhe artistik nga ana e shqiptarëve, përveç simpatisë dhe dashurisë që më lidh edhe me këtë popull të madh. Përmes njohjeve arrita të gjej këtë vend që është restauruar kohët e fundit, i cili, megjithëse është shumë i vogël dhe i kufizuar për nga hapësira, sipas mendimit tim është gjithashtu shumë intim, në kuptimin që arrin të presë vizitorët duke vendosur veprat në mënyrën më të mirë të mundshme, në mënyrë tërheqëse. Kjo për mua është ekspozita ime e parë në Shqipëri dhe natyrisht shpresoj e dëshiroj që të ketë edhe të tjera, sepse do të doja të kisha mundësinë të tregoj edhe punë të tjera të miat për popullin shqiptar”, tha Fabrizio Loiacono.

Ndërkohë, drejtori i Qendrës Muzeore të Durrësit, Alban Ramohitaj, vlerësoi ekspozitën si një mundësi për të sjellë në qytetin bregdetar jo vetëm art ndërkombëtar, por edhe një frymë të re bashkëpunimi kulturor.

Kjo ekspozitë shënon një tjetër hap të rëndësishëm në afrimin e italianëve me Shqipërinë, jo më vetëm në dimensionin turistik, por edhe në atë kulturor e artistik. Përmes fotografisë, krijohet një urë bashkëpunimi dhe frymëzimi mes dy vendeve. Ekspozita “Glance off it” mbetet e hapur deri më 28 shtator, duke e bërë Durrësin jo vetëm portë turistike, por edhe një adresë të rëndësishme të artit bashkëkohor. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos