Ekspozita “Një popull në lëvizje”, imazhet e fotografit italian për Shqipërinë 1994

Nga Elitjona Doko
4 Tetor 2025, 19:52 | Kulturë

Tridhjetë vite më parë, fotografi italian Gianni Bellesia mbërriti për herë të parë në Shqipëri si pjesë e një misioni humanitar, duke shoqëruar dy kamionë me ndihma për familjet e varfra të një vendi që sapo kishte hyrë në rrugën e demokracisë.

Sot, pas tri dekadash, ai është kthyer sërish por jo më si vëzhgues i varfërisë, por si dëshmitar i transformimit të një populli, shkruan A2.

Në ekspozitën fotografike të titulluar “Shqipëria 1994, një popull në lëvizje”, Bellesia sjell 30 imazhe autentike, që rrëfejnë historinë e njerëzve të thjeshtë dhe ndryshimet e një kohe që nuk duhet harruar.

Fotografitë janë realizuar nga Durrësi në Tiranë, Shkodër e deri në fshatin e thellë të Nënshatit, vende ku ai ka dokumentuar me objektivin e tij jetën, shpresën dhe buzëqeshjen e shqiptarëve të atyre viteve.

“Ishit një vend me njerëz që buzëqeshnin. Edhe pse kalonit vështirësi, ata na prisnin gjithmonë me mirësi.Nga sytë e një italiani, më dukej një popull në zhvillim.Të rinjtë ëndërronin të shkonin në Itali, për të mësuar e për t’u kthyer me njohuritë e reja.Edhe të moshuarit i mbështesnin, sepse shpresonin që dija e perëndimit të sillte ndryshim.Sot, duke parë rilindjen e vendit tuaj, mendoj se ajo profeci e tyre është bërë realitet, dhe kjo më gëzon shumë", shprehet fotografi italian.

Ekspozita është realizuar në bashkëpunim me Foto Klub Durrësin, një grupim që po promovon gjithnjë e më shumë artin e fotografisë dhe historitë njerëzore në qytet.

Ekspozita “Shqipëria 1994, një popull në lëvizje” do të qëndrojë e hapur për publikun gjatë fundjavës, në ambientet e Qendrës Kulturore të Fëmijëve në Durrës. Një udhëtim mes kujtesës dhe ringjalljes së një kombi që, për Gianni Bellesian, nuk ka reshtur kurrë së buzëqeshuri. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos