“Mokra n'Fest”, tradita mbledh banorët dhe turistët në vendin e lashtë

Nga Artin Halili
17 Gusht 2025, 12:50 | Kulturë

Mokra n'Fest, festa e krahinës së Mokrës, e cila ka në qendër të saj promovimin e monumenteve të natyrës, kulturës, por edhe traditave të zonës edhe në këtë edicion të saj të VI solli në vëmendje pikërisht zakonet, historinë dhe mikpritjen mokrarçe.

"Ura e Gurit" Monument Kulture e kategorisë së parë si pjesë e rrugës "Egnatia" dikur e përshkuar nga karvanët e tregtarëve, tashmë mbledh banorët, vizitorë e turistët të cilët mahniten me madhështinë e saj por edhe atë se çfarë në festë ekspozohet e shpaloset, që nga gatimet e mishit, brumit, prodhimet e tokës.

“Mokra n'Fest”, tradita mbledh banorët dhe turistët

"Festa e Mokrës festohet për herën e tretë pranë urës së Golikut, është monument kulture e kategorisë së parë, i përket shekullit të XVII. Është urë mjaft e rëndësishme e degëzmit të rrugës Egnatia që asokohe kalonte përgjatë Mokrës, promovon turizmin, promovon monumentet e kulturës që Mokra i ka të shumta. Krahasuar me vitet e tjera ka një numër mjaft të madh njerëzish kjo falë promovimit që është bërë", shprehet Ledjan Zeqollari, drejtor i Turizmit dhe Trashëgimisë Kulturore në Bashkinë Pogradec.

“Mokra n'Fest”, tradita mbledh banorët dhe turistët

Mokra e mokrarët janë të njohur sidomos për shëndetin që i pinë mikut me dolli, rakia e kumbullës së kësaj zone nuk njeh gjini, pasi dollia ngrihet nga burrat e gra.

"Mokra për tradita, për punëdore, për byrek, mishin në hell, fasulet. Kulaçi, buke me brumë, sodanik, me miell pe misri. Rakinë e pinë e burrat e gratë, bëjnë dolli", shprehen banorët.

“Mokra n'Fest”, tradita mbledh banorët dhe turistët

Vit pas viti Mokra n'Fest mbledh më shumë vizitorë vendas dhe të huaj nga të gjitha qytetet e fshatrat shqiptare nga jugu në veri, pasi nami i mirë i mokrarëve është i madh.

"Kam ardhur së me pëlqen shume Mokra, gëzuar Festën Mokrës. Jam nga Peshkopia hera e parë në Mokër. Shumë bukur".

"Nga Rumania. Kam vjehrrin këtu. Kam burrin shqiptar. Kam dy vjet. Me pëlqen. Do të rikthehem", thotë një tjetër turist, për A2 CNN.

“Mokra n'Fest”, tradita mbledh banorët dhe turistët

Mokra n'Fest u shoqërua me muzikë tradicionale të zonës, vallet popullore e vallet dyshe të burrave, mbrëmja pati edhe sfida dhe performanca në ajër me grupin e të guximshmes Fiona Rushiti, për ta përmbyllur festën me kampingun e të apasionuarve pas natyrës. Më shumë se 4 mijë të pranishëm "në të lashtën Mokrë me thinja mençurie dhe shpirt fisnikërie", siç shkruante Dritëro Agolli. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos