Në një intervistë në “Dita jonë” në A2 CNN, aktori dhe regjisori Mevlan Shanaj kujtoi vitet e bashkëpunimit me ikonën e kinematografisë shqiptare, Dhimitër Anagnosti, i ndarë nga jeta këtë të hënë në moshën 89-vjeçare.
“Isha i ri dhe po xhironim në studio. Në atë kohë, ishte ideja nga stafet nga që këta të rinjtë po sjellin një kinema të re, në nënzëshme, jo të bërtitur. Dhe mjeshtri më thotë “ngrije zërin”. I them: “Nuk kam pse të ngre zërin unë, ti bëj si të duash, unë kështu do ta interpretoj...”. Anagnosti, që ishte strikt, një tel i sertë për rezistencën e së bukurës, nuk foli. Dëgjoi debatin mes meje dhe personelit teknik dhe nuk tha asnjë fjalë, vetëm “pushim”. Kjo ishte madhështia e tij”, tha Shanaj në një bisedë telefonike. “Reagimin e tij e mbaj mend prej 50 vitesh. Një reagim i matur, dinjitoz, dhe nuk ndërhyri. As mua nuk mund të më thoshte që je gabim por edhe teknikës nuk kishte çfarë t’i bënte dhe zgjodhi rrugën e mençurisë”.
“Publikut nuk do t’i mungojë madhështia e mendimit të Anagnostit. Ai do t’i mungojë shqiptarëve me kontaktin e tij fizik, por vepra që na ka lënë është madhështore”, shtoi ai. (A2 Televizion)