Profesor doktor i shkencave gjeografike Perikli Qiriazi, një nga pasardhësit e familjes Qirjazi në Kolonjë, ka marrë titullin qytetar nderi i Bashkisë së Kolonjës, vendi ku ai ka lindur, por që me veprat e tij i ka shërbyer gjithë vendit.
Familja e njohur Qiriazi në Kolonjë vijon të nxjerrë figura që jo vetëm i shërbejnë zonës, por edhe vendit me studime dhe vepra që do të mbeten ndër breza.
I tillë është edhe profesor doktor Perikli Qiriazi, i cili i është kushtuar shkencave gjerografike dhe që së fundmi pritet të botojë edhe enciklopedinë e Kolonjës.
"Me ndihmën e gjithë kolonjarëve ta pasqyrojmë këtë pasuri që ka Kolonja. Pasuri të jashtëzakonshme. Ne si krahine do të radhitemi në ato pak bashki që kanë mundur të bëjnë enciklopedinë e tyre, do ta bëjmë me të mirë se kushdo tjetër", tha profesor Perikli Qirjazi.
Për kontributin e dhënë bashkia e Kolonjës i ka dhënë atij titullin qytetar nderi, duke e renditur Qiriazin, ndër ata gurë të mëdhenj që ka punuar jo vetëm për krahinën kolonjare, por për gjithë vendin.
"Ashtu si mbiemri juaj edhe emri juaj është gur i rëndë me peshë që do dëshmojë jo vetëm krahinën kolonjare, por identitetin shqiptar në një cilësi gjaku që është dinastia Qiriazi”, tha kryebashkiaku Erion Isai.
82-vjeçari Perikli Qirjazi është gjeograf i njohur në vendin tonë me dhjetëra botime shkencore ndërsa tashmë ka edhe titullin nderit të bashkisë, ku ai ka lindur. (A2 Televizion)