Shekulli i XIX, për shqiptarët, ishte edhe shekulli i portretizimit në imazhe, pasi pothuaj përherë të parë bota e Perëndimit shikonte portretet e shqiptarëve, veshjet e tyre, dekoret shqiptare... gjithçka e jashtme që lidhej me përjetimet e tyre, valltarët, këngëtarët, personazhet historikë.
Studiuesi Luan Rama i rrëfen këto tablo në librin “Shqipëria dhe shqiptarët në tablotë e piktorëve francezë tëshekullit XIX”.
Shqiptarët u shfaqën në tablotë e tyre me profile e karaktere të ndryshme: herë në pozicione luftarake e herë në pamje të qeta meditimi, apo portrete të lira, ku secili nga piktorët ka shprehur origjinalitetin dhe stilin e tij piktural, shkruan A2.
Etydet mbi karakteret, tipat dhe kostumet shqiptare janë më të shumta sesa ato tablo që u bëjnë jehonë figurave apo ngjarjeve historike.
Këto vepra janë në vazhdën e shkollës së orientalizmit, aq të përhapur në atë kohë në Europë, e cila solli një prurje të madhe artistike e mjaft cilësore në pikturën europiane të shekullit XIX. (A2 Televizion)