Po konsiderohet një sukses historik që nuk ndodhte nga Lufta e Dytë Botërore. Alternativa për Gjermaninë e ekstremit të djathtë ka marrë një fitore vendimtare në shtetin lindor të Saksonisë Anhalt, shumë përpara rivalëve tradicional.
“Vizioni 2026 është bërë realitet. Ne kemi bërë histori, të dashur miq”, tha Ulrich Siegmund, kandidat i AFD.
Megjithatë, rezultatet paraprake tregojnë se nuk ka arritur shumicën e nevojshme për të qeverisur të vetëm, me 43.8% të votave, kundrejt 17.2% të konservatorëve të CDU-së. Tani është radha e negociatave të vështira për të qeverisur shtetin gjerman, shkruan A2 CNN.
“Po e marrim vendin tonë mbrapsht. Fillon këtu në Saksoni-Anhalt. Megjithatë, kjo është pika thelbësore, të cilën duhet ta theksoj: kjo fitore zgjedhore është një votë besimi nga populli i këtij vendi. Dhe ne do ta përmbushim këtë besim. Ne nuk do të bëjmë kompromis me parimet tona. Nuk do të heqim dorë nga vetja. Nuk do të bëhemi kurrë si ata që me të drejtë janë ndëshkuar sonte. Ne jemi Alternativa për Gjermaninë”, shti Siegmund.
“Ti ke arritur të pamundurën. Të gjithë u përpoqën të na bindnin, por ti e bëre të ndodhte. Me Uli Siegmund, kemi Kryeministrin e parë nga Alternativa për Gjermaninë, pikërisht këtu në Saksoni-Anhalt”, tha Alice Weidel, bashkëkryetare e AFD.
Asnjë parti e ekstremit të djathtë nuk ka qeverisur ndonjë land të Gjermanisë që prej Luftës së Dytë Botërore. Ky rezultat i jep mundësinë AFD që të ketë pushtet mbi politikat lokale, edukimi dhe kultura. Saksonia Anhalt ka një popullatë prej 2,1 milionë banorësh. (A2 Televizion)
