Shoqata Tirana “Nder i Kombit” edhe këtë shkurt ka manifestuar 106 vjetorin e Tiranës si kryeqytet nën koncertin tradicional që tanimë të gjithë e njohin si Sofra Tiranase. E mbajtur në Pallatin e Kongreseve, Sofra ka bërë bashkë edhe artin vizual edhe muzikën që bashkon sofrat e Tironës.
Nga Ibrahim Kodra te Sali Shijaku, mes tablove më të bukura nga piktorët e Tiranës, me peisazhet e një kryeqyteti që ndryshon çdo ditë, por që e ka të shenjtë edhe historinë edhe imazhet ndër vite. Kështu ishte rrethuar Pallati i kongreseve, që priste me bujarinë e tironsve gjithkënd që donte të bëhej pjesë e sofrës tradicionale.
Pas pritjes në hollin e Pallatit të Kongreseve, në sallën e koncerteve ka jehuar muzika tradicionale, vallet, e ngjyrat e kostumeve popullore, që në shtëpitë e tiranasve trashëgohen brez pas brezi.
Nga vallet e gëzueshme te këngët e dashurisë dhe rakisë, mbrëmja që manifestonte 106-vjetorin e shpalljes së Tiranës kryeqytet, ishte sofra që i mirëpriste të gjithë, njëlloj si Tirona. (A2 Televizion)