
13 shkurti njihet si Dita Botërore e Radios, një datë e shpallur në vitin 2011 nga UNESCO, në kujtim të themelimit të radios së Kombeve të Bashkuara në vitin 1946.
Duke e konsideruar si një medium mediatik të vjetër dhe në përpjekje për ta alternuar mes zhvillimeve të kohës, në mesazhin e tij për këtë ditë, drejtori i përgjithshëm i UNESCO-s, Khaled El-Enany, u ndal te raporti mes radios dhe inteligjencës artificiale, duke theksuar rëndësinë e përdorimit të saj në shërbim të publikut.
“Së bashku, le të sigurohemi që inteligjenca artificiale t’i shërbejë publikut dhe jo anasjelltas. Le të sigurohemi që radioja të vazhdojë të informojë me integritet, të lidhet me empati dhe të flasë me një zë njerëzor”, thuhet në mesazhin e tij, shkruan A2 CNN.
Sipas OKB-së, radioja ndodhet aktualisht në një fazë transformimi, ku inteligjenca artificiale mund të ndihmojë në forcimin e misionit të saj për informim, edukim dhe argëtim. Automatizimi i proceseve rutinë si planifikimi i programeve, përditësimet e motit dhe sporteve, gjurmimi i zërit dhe menaxhimi administrativ, mund t’u japë mundësi ekipeve të radios të fokusohen më shumë në kreativitet dhe komunikim me audiencën. (A2 Televizion)