Deputeti socialist, Plarent Ndreca, është ligjvënësi i radhës që merret i pandehur nga SPAK.
Në përfundim të hetimit ndaj tij, Struktura e Posaçme vlerësoi se Ndreça duhet të akuzohet për veprën penale të “shkeljes së barazisë së pjesëmarrësve në tenderë apo ankande publike”.
Një ditë pasi u njoftua për t’u paraqitur në SPAK, deputeti i mazhorancës zgjodhi të mos shkonte, por të dërgonte avokatin e tij, Ermal Yzeiraj, duke i dhënë një prokurë të posaçme përfaqësimi.
Në këtë formë deputeti, që është hetuar pa masë sigurie, shmangu përballjen me prokurorët, por jo me akuzën, që ju komunikua përmes avokatit.
Abuzimi që dyshohet të ketë konsumuar Ndreca ka ndodhur para se ai të hynte në parlament, në kohën që ishte Sekretar i Përgjithshëm i Ministrisë së Brendshme.
Hetimi në fjalë nisi pas një kallëzimi të Kontrollit të Lartë të Shtetit në Ministrinë e Brendshme në vitin 2021, ku u vërejtën shkelje të ligjit në një procedurë tenderuese për rikonstruksionin e godinave të Drejtorisë së Policisë së Vlorës, Komisariatit nr.4 në Tiranë, Komisariatit të Policisë Pogradec dhe atij të Mirditës.
Sipas KLSH, nga auditi rezultuan mospërputhje dhe devijime ligjore me pasojë shkeljen e barazisë në garën për tenderin si edhe rritje të paargumentuar të vlerës së kostove të ndërtimit dhe kostove të projektimit.
Përveç Ndrecës akuza penale pritet t’i komunikohen edhe zyrtarëve të tjerë të përfshirë në këtë procedurë.
Për veprën penale për të cilën akuzohet deputeti Ndreca Kodi Penal parashikon dënim me burg deri në tre vjet. (A2 Televizion)