Në një konferencë për mediat, kreu i LZHK-së, Dashamir Shehi, ka komentuar protestën e deputetëve demokratë në Strasburg, duke u shprehur se e sheh si zhvillim pozitiv, por krahas kauzës politike, duhet t’u kishin kërkuar evropianëve dhe zgjidhjen e çështjes së pronave dhe atë të pensioneve, shkruan A2 CNN.
“Ishte protestë pozitive, por do të ishte edhe më pozitive nëse do të ishin bërë këto gjërat që them unë. Mirë është që europianët ta dinë se në çfarë gjendje është Shqipëria, mos të dëgjohet vetëm një këmbanë. Por, duhet të kishin ngritur edhe dy tema të tjera meqë shkuan në Strasburg. Duhet t’i kujtonin atyre që i kanë dhënë një shans të madh Edi Ramës që të kthejë vetëm 10% të pronave dhe të quhet i larë. Ky është një turp i madh dhe deputetët e opozitës duhet ta bënin prezent këtë shqetësim, meqë shkuan atje. Ata duhet t’ia kujtonin atyre zotërinjve se kanë marrë një vendim të gabuar dhe të padrejtë”, tha Shehi.
“E dyta, duhet t’i kujtonin edhe se pensionistët e Shqipërisë marrin 190 euro mesatarisht pension”, shtoi Shehi.
(A2 Televizion)