Pas 4 mujash që nga momenti i depozitimit në Kuvend nga qeveria, amnistia penale kaloi në Parlament duke marrë votat e nevojshme të socialistëve dhe demokratëve. Marrëveshja politike mes mazhorancës dhe demokratëve të Rithemelimit kaloi testin e parë duke miratuar një dokument të dakordësuar me propozime nga shumica edhe pakica.
Por, kjo nuk ndaloi që në sallë të shfaqeshin edhe “rebelët” nga të dyja kampet, pasi në radhët e socialistëve Ermonela Felaj abstenoi votën për amnistinë, ndërsa nga opozita ngriti karton të kuq Agron Shehaj, Lulzim Basha dhe Enkelejda Alibeaj u larguan nga salla para votimit në tërësi, por dy deputetë mbështetëse të tyre, Eralda Bano dhe Oriela Nebiaj bashkuan votat me Gazment Bardhin.
Ministri i Drejtësisë tregoi numrin e të dënuarve që do të përfitojnë nga amnistia si dhe të atyre që do të përfitojnë nga ulaj e dënimit. Pjesë e kësaj amnistie me propozimin e demokratëve janë përfshirë edhe protestuesit.
Këtë konsensus në Parlament, nga mëngjesi deri në darkë, Lulzim Basha e quajti pazar politik.
Përgjigjen ndaj ish-kryetarit të tij e dha vetë Gazment Bardhi. Ndërsa Alibeaj në propozimet e të majtëve dhe të djathtëve kishte zbuluar se ku fshihej “djalli”.
Për të mbrojtur amnistinë e dakordësuar me Gazment Bardhin ndaj akuzave të Alibeajt, u mundua vetë ministri i Drejtësisë. Propozimi i Gazment Bardhit për të përfshirë në amnisti edhe protestuesit e opozitës nuk mori vetëm votën kundër të Ermonela Felajt, por edhe dy abstenime, të Petro Koçit dhe Fatmir Xhafajt. (A2 Televizion)