112 vite pavarësi, Berisha: Ismail Bej Vlora po të zgjohej sot, nuk do të njihte asgjë nga Shqipëria

Nga Anesti Barjamemaj
28 Nëntor 2024, 15:20 | Politikë

Një ditë pas lirimit nga arresti shtëpiak, Sali Berisha, zgjodhi që sërish t’u fliste mbështetësve të tij nga banesa. Teknologjia i erdhi sërish në ndihmë, ku përcolli mesazhin e urimit për të gjithë shqiptarët në 112-vjetorin e Pavarësisë.

Lideri i opozitës, teksa kujtoi momentin e ngritjes së flamurit në Vlorë shtoi se vizioni i Ismail Qemalit për Shqipërinë nuk është jetësuar.

“Ismail Bej Vlora dhe etërit e tjerë të pavarësisë po të zgjoheshin sot, nuk do të njihnin asgjë nga Shqipëria në të cilën ata shpallën pavarësinë.  Shqipëria është vite e vite drite larg”, u shpreh Berisha.

Edhe pse një dite feste, Berisha nuk la pa sulmuar kundërshtarin e tij politik.

“Sot në Tiranë qeveris një shqipfolës, që zbaton në këtë vend pas 112 vitesh pavarësi, zbaton pikë për pikë politikën Çubrilloviçit dhe ka përzënë nga Shqipëria në 10 vite, më shumë shqiptarë se çdo pushtim tjetër deri sot. Vendin e pasurive më përrallore, më mahnitëse e shndërroi në vendin e kanabisit, vendin e drogës”.

Duke quajtur narkodiktaturë qeverisjen e sotme, kreu i Partisë Demokratike kërkoi prej të tijëve vijimin e aksionit politik, ku siç tha mosbindja civile duhet të jetë kryefjalë.

“Çdo ditë e më aktiv, duhet të bëhet veprimi ynë. Duhet të qëndrojmë me të gjithë forcën, dhëmb për dhëmb. Diktaturat ka vetëm dy rrugë për largimin e tyre, ose me armë, ose me mosbindje civile dhe votë. Ne jemi Parti Demokratike, ne jemi parti jo e dhunës”.

Këto komente Berisha i bëri gjatë një aktiviteti të organizuar nga të rinjtë e Brain Gain pranë Partisë Demokratike.  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos