2 prilli fut në sherr Kuvendin. Përplasje, akuza dhe kërcënime mes deputetëve

Nga A2 CNN
2 Prill 2026, 19:36 | Politikë

Duhej të ishte një moment solemn, por një kërkesë e ardhur nga Taulant Balla për të mbajtur 1 minutë heshtje për dëshmorët e 2 Prillit prodhoi vetëm sherr.

Kryetari i Kuvendit, Niko Peleshi në tentativë për të shuar një debat, prodhoi një tjetër. Teksa Noka vijonte të ishte në foltore në kërkim të fjalës, Peleshi kërkoi që deputetët të vijonin me diskutimet, por në vend të diskutimeve ligjvënësit vijuan përplasjet. 

Qetësia në sallë dukej si fjalë e huaj, ndaj Peleshi ndërpreu punimet.

Rikthimi në seancë nuk kishte qetësuar deputetët, por përkundrazi edhe me fikjen e kamerave debati kishte vijuar, natyirsht edhe më i fortë dhe me akte fizike. Jo vetëm deputetët burra, por edhe deputetet gra u përfshinë në debate, ku nuk munguan as tonet e larta, shkruan A2.

Skenat në Kuvend kanë bërë nostalgjike Jozefina Topallin, e cila i është rikthyer një batute të shumë viteve më parë në kohën kur ajo ishte kryetare e Parlamentit: “Kapeni për zhelesh e qiteni jashtë”.

Me debatet që vijonin dhe me dështimin e tentativave për të qetësuar palët, kreu i Kuvendit ndërpreu për herë të dytë seancën.

Në mes të akuzave e toneve të larta që shkëmbenin deputetët e opozitës e mazhorancës, mbi kokat e ligjvënësve kishte fluturuar edhe një shishe plastike. Minuta të tëra ishin humbur me debate dhe normalitet në seancë nuk kishte, ndaj shumica e pa të udhës që duhej të kalohej menjëherë në votim të ligjeve.

Përfundimi i seancës nuk mbylli dot debatet, ndaj nga oborri i Kuvendit, kreu i grupit parlamentar të PD kërcënoi se opozita do të përshkallëzonte reagimin.
(A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos