Në Shqipëri është hipokrizi të flasësh për fjalën e lirë, pasi ajo ndiqet me burg. Kështu u shpreh Sali Berisha në 34-vjetorin e themelit të gazetës Rilindja Demokratike, duke sjellë në vëmendje dënimin e deputetit demokrat Ervin Salianji, ndërsa ngre akuza ndaj drejtësisë.
“Një deputet i ri, një deputet që mbase nuk kishte marrë rrogë në administratë shtetërore, pse publikoi regjistrimin e një gazetari guximtar, sot ndodhet në qelitë e Fierit, nga Edi Rama dhe Fatmir Xhafaj. Sot mediat kanë një kontroll të shumëfishtë. Sot qeveritarët nuk paraqiten më në debatet televizive se këta, vjedhjet e tyre nuk kanë mundësi t’i mbrojnë. Edhe ky është një atak ndaj fjalës së lirë. Debati është një detyrim i njerëzve të lirë. Sot gjykatës, prokurori mercenar kërkon t’i hiqet kryetarit të partisë më të madhe politike opozitare të vendit, e drejta e komunikimit, përveç se me familjarët e tij. Abuzim total me kushtetutën dhe ligjet. Ky mercenar përcjell vullnetin e një njeriu”.
Teksa sjell në vëmendje varjen e poetit Havzi Nela, Berisha thotë se edhe sot pas 36 vitesh, Rama firmos të varë në litar Tik Tokun.
“Akti më i rëndë i censurës që mund të ndërmerret. Akti më i rëndë ndaj fjalës së lirë. Një platformë e cila ka një përdorim masiv sot, por duhet ta pranoj se njëlloj si Tëitteri, pasi u ble nga Elon Musk, nuk ka censurë. Tik Toku censurë nuk ka. Por meqenëse nuk ka censurë, Edi Rama njëlloj si i ati firmos për ta varur në litar. Imagjinoni ju se cili është koncepti i tij për fjalën e lirë”.
Censura, sipas Berishës, nuk është vetëm në Shqipëri, por edhe në vendet e lirisë, por mori përgjigje në 5 nëntor me fitoren e Donald Trump.
“E vërteta tmerrësisht e hidhur është se për censurën, në mënyrën më marrëzore, filloi të flitet dhe në vendet e lirisë. Për censurën u krijuan zyra në zemër të atyre institucioneve që duhet të kishin mision të parë të kundërtën. Për censurën u krijuan edhe komisione parlamentare, ndër të tjera edhe në Shqipëri, nën etiketën e dizinformimit. Por prapë këto përpjekje shumë të rrezikshme morën një goditje të merituar, për fatin e mirë të njeriut të lirë, morën një goditje fatale me 5 nëntor të vitit 2024. Censura penetroi si kancer në trupin gjigand të mamuthëve të komunikimit, do të mbetet më i madh se të gjithë të tjerët, Elon Musk, jo për hapësirat që ka pushtuar, por për blerjen e Twitterit dhe heqjen e censurës në këtë mediat”.
Gjatë fjalës së tij në 34-vjetorin e RD-së, Berisha theksoi se ajo gazetë ishte organ i mendimit të lirë, intelektual dhe universal dhe apeloi që të mos rreshtim kurrë së luftuari për fjalën e lirë. (A2 Televizion)