Në mbledhjen e parë të vitit 2025, Kryeministri Edi Rama ndryshoi ekipin e tij politik për zgjedhjet e 11 majit. Pandeli Majko nuk do të jetë më drejtues politik në Kukës, detyrë që tani do ta kryejë Eduard Shalsi, një nga bashkëpunëtorët e hershëm të Ramës që nga koha kur drejtonte Bashkinë e Tiranës. Burime brenda PS-së bëjnë me dije për A2CNN se kjo lëvizje vjen nga pakënaqësia e dyanshme për objektivat e punës në Kukës, si nga ana e Kryeministrit Rama, ashtu edhe nga vetë Majko, i cili duket se është mjaftuar me drejtimin e fushatës së zgjedhjeve vendore të 2023-shit.
Me këtë ndryshim, Majko rikthehet në Tiranë, por mbetet ende dilema nëse do të zëvendësojë Shalsin në njësinë 1 apo do të gjejë rehatinë në zonën që e njeh më mirë, në njësinë 5, ku në zgjedhjet e 2021-shit ishte në listën humbëse në vendin e 19-të, një vend poshtë Eduard Shalsit. Ky i fundit do të duhet të sfidojë veten, vetëm 4 muaj para zgjedhjeve, me drejtimin e një ekipi politik në një zonë elektorale të panjohur për të. Ndërkohë, sipas rregullit të deritanishëm të kryesocialistit, Shalsit nuk i takon të jetë i sigurt në listën e kandidimit, si deputet i katër legjislaturave në Kuvendin e Shqipërisë.
Në mbledhjen e kryesisë, drejtuesit e qarqeve raportuan për kontaktet e siguruara me emigrantët që jetojnë jashtë. Fazë që pason me nisjen e regjistrimit më 11 janar dhe përfundon më 4 mars, datë kur ekipet politike, së bashku me stafet e tyre, do të japin llogari para Edi Ramës nëse kanë plotësuar objektivat, apo shifrat do të mbeten në librin e kontakteve. (A2 Televizion)