Aktivisti dhe gazetari Egon Loli duke folur nga protesta për emisionin “Off the Record” nga Andrea Danglli në A2CNN tha se nga protesta është krijuar një lëvizje e gjerë politike.
Sipas Lolit duhet të kalohet në një përfaqësi të qartë dhe gjithëpërfshirëse që ta vendosë kryeministrin Rama përballë përgjegjësisë institucionale për përmbushjen e kërkesave.
I pyetur nga gazetari Igli Çelmeta a do shkohet drejt një force të re politike, aktivisti Loli tha: “Unë këtë nuk e di dhe nuk mund ta them në ketë moment, megjithëse ne të gjithë mundet që ta parashikojmë, sepse nuk do kishte kuptim që gjithë ky vullnet qytetar nuk do të përkthej politikisht, pra bën sens logjikisht, por unë këtë gjë s’mund ta them në këtë moment. Ajo që unë mund të them me siguri është një lëvizje jo një parti politike, që gjen mekanizmat politik dhe institucional, që kërkesat që janë artikuluar çdo ditë dhe çdo orë gjatë protestës, ta vendosin kryeministrin para përgjegjësisë së realizimit të këtyre kërkesave. Sigurisht që negociata në kuptimin e diskutimeve për t’i shtruar politikisht këto kërkesa ka, dhe këtë mos ma merrni për zbulimin e ndonjë konspiracioni, është gjëja më normale që grupet në shesh vullnetin e tyre ta diskutojnë me njëri-tjetrin, dhe mendoj që është gjë e mirë që shumë shpejt të kalohet te një përfaqësi të qartë, gjithëpërfshirëse, që kryeministrin ta vendosë përballë përgjegjësisë institucionale për përmbushjen e kërkesave. Ajo që do krijohet tani është një lëvizje e gjerë, jo një parti e ngushtë politike”. (A2 Televizion)