Këlliçi bën denoncimin: Patronazhistët po sulmojnë qytetarët që janë kundër Ramës

Nga A2 CNN
17 Qershor 2026, 17:01 | Politikë

Këlliçi bën denoncimin: Patronazhistët po sulmojnë

Deputeti i Partisë Demokratike, Belind Këlliçi, ka denoncuar raste të mesazheve dhe komunikimeve në rrjetet sociale që, sipas tij, përbëjnë presion ndaj qytetarëve për shkak të komenteve kritike ndaj kryeministrit Edi Rama.

Në një postim në facebook, Këlliçi ka publikuar një rast ku një qytetare pretendon se është kontaktuar nga një profil anonim në rrjet, i cili i ka kërkuar të fshijë një koment kritik ndaj kryeministrit dhe, sipas tij, ka përmendur edhe të dhëna personale të saj.

Reagimi i deputetit të PD, Belind Këlliçi:

Mobilizimi nën armë që Edi Rama i ka bërë patronazhistëve duke i sulur kundër kritikëve, komentuesve online, apo protestuesve, është dhuna që po ndodh në Tiranë e kudo në Shqipëri.

Ky mesazh i dërguar sot ndaj një qytetareje që ka shprehur mendimin e saj lirisht, pa fyer askënd, thjeshtë sepse ka komentuar kryeministrin, tregon organizimin dhe agresivitetin e skuadroneve të Edi Ramës kudo.

Patronazhisti me profil anonim, se emrin dhe mbiemrin nuk ka kurajo ta shfaqë, i kërkon të heqë urgjent komentin kritik për Ramën, duke i thënë se e njeh se ku banon, madje e me çfarë merret dhe çfarë biznesi ka!

Pas inspektoriateve e strukturave represive që ka kudo në terren, që hakmerren e ndëshkojnë armiqtë e partisë, Edi Rama ka krijuar tanimë dhe policinë e internetit!

Kjo është një ngjarje shumë e rëndë.

I ftoj qytetarët të reagojnë e të bëjnë publike kërcënimet që marrin nga patronazhistët e Edi Ramës.

Ne jemi këtu dhe do të ngremë zërin e do të qendrojmë në çdo rast, në mbrojtje të lirisë e të drejtave të njerëzve.

Denonconi këdo bandit, të fshehur apo jo pas tastierës dhe profileve anonime, në mënyrë që kjo e keqe e madhe që ka kapluar vendin, të ç’rrënjoset një herë e mirë! (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos