A do të shuhet Irani? Robelli për kërcënimet e Donald Trump: I ka dalë situata jashtë kontrollit

Nga A2 CNN
7 Prill 2026, 21:04 | Politikë

I ftuar në emisionin ''Off the Record'' nga Andrea Danglli, gazetari Enver Robelli ka komentuar ashpër retorikën e presidentit amerikan Donald Trump ndaj Iranit, duke e cilësuar situatën si të dalë jashtë kontrollit.

“Tani kur dëgjohet retorika e presidentit Trump që do të zhbëjë një civilizim, shtrohet pyetja: Irani i mbijetoi 50 vite sanksioneve, por a i mbijeton bota 50 ditë luftë?” tha Robelli.

Ai theksoi se vihet re një nervozizëm i madh tek presidenti amerikan, duke e lidhur këtë me dështimet në politikën e jashtme dhe problemet e brendshme. “Tentoi me aventurat në Venezuelë, Iran edhe me idenë për Kubën, për t’u kthyer si triumfator në politikën e brendshme. Kjo nuk funksionoi,” u shpreh ai.

Sipas Robellit, Trump është futur në një “qorrsokak” dhe nuk po gjen dalje. Ai kritikoi edhe gjuhën e përdorur nga presidenti: “Ishte shokuese kur tha se në Iran kemi të bëjmë me kafshë. Ta quash një popull kafshë është diçka që nuk mbahet mend nga presidentët amerikanë.”

Gazetari nënvizoi se Trump ka krijuar një hendek mes retorikës dhe veprimeve. “Ai i ka shtyrë vazhdimisht ultimatumet. Ka një hendek të madh mes gjuhës me superlativa dhe veprimeve reale,” tha ai.

Robelli shtoi se mungesa e figurave kundërshtuese brenda administratës e përkeqëson situatën. “Sot ka njerëz që janë të gatshëm të shërbejnë deri në vetëposhtërim,” u shpreh ai.

Në fund, ai paralajmëroi për rrezikun e vendimeve të papritura: “Nuk përjashtohet një veprim i pamenduar. Nuk e dimë kush del i fundit nga Shtëpia e Bardhë dhe çfarë do t’i thotë presidentit.” (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos