“Po preket edhe prodhimi i plehrave kimike nga lufta”, Nurellari: Do të ketë zi buke

Nga A2 CNN
7 Prill 2026, 21:02 | Politikë
 

Politologu Adri Nurellari ka ngritur alarmin për pasojat globale të konflikteve të zgjatura, duke theksuar se ndikimi i tyre po shtrihet edhe në sektorë jetikë si bujqësia dhe prodhimi i ushqimit.

I ftuar në emisionin “Off the Record” nga Andrea Danglli në A2CNN, Nurellari u shpreh "se zvarritja e krizave me pasoja të mëdha po krijon efekte të pallogaritshme në ekonominë globale. Sipas tij, një nga dimensionet më pak të diskutuara është ai i prodhimit të plehrave kimike, i cili lidhet ngushtë me energjinë dhe burimet natyrore".

Ai theksoi se "prodhimi i komponentëve kyç si Urea dhe Nitrat Amoni po ndikohet drejtpërdrejt nga situata gjeopolitike. Një pjesë e konsiderueshme e prodhimit global të plehrave kimike ndodhet në Gjiri Persik, ku sipas tij mbi 15% e kapaciteteve janë prekur nga bllokimet dhe tensionet".

Kjo situatë, paralajmëroi Nurellari, pritet të ketë pasoja të drejtpërdrejta në rendimentin e prodhimit bujqësor, sidomos në rajonet më të brishta ekonomikisht. “Do të ketë rënie të prodhimit të ushqimit dhe në disa pjesë të botës, sidomos në Afrikë, mund të përballemi me zi buke,” u shpreh ai.

Sipas analizës së tij, ndikimi nuk do të jetë i menjëhershëm, por do të reflektohet gradualisht në muajt dhe vitet në vijim, duke rritur çmimet e ushqimeve dhe duke thelluar krizën ushqimore globale.

Në përfundim, Nurellari theksoi se dimensioni gjeografik i konfliktit dhe ndërprerja e zinxhirëve të furnizimit janë faktorë kyç që mund të përkeqësojnë ndjeshëm situatën, duke e kthyer krizën aktuale në një kërcënim serioz për sigurinë ushqimore në nivel global. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos