“Kartelet meksikane po bashkëpunojnë me Iranin”, Sotiri: Lufta ka rritur kumarin dhe bastet

Nga A2 CNN
7 Prill 2026, 20:44 | Politikë

Ekspertja e marrëdhënieve ndërkombëtare, Juxhina Sotiri, është shprehur në ''Off the Record'' nga Andrea Danglli se zhvillimet e fundit në Lindjen e Mesme janë keqlexuar, duke nënvizuar se është nënvlerësuar si kapaciteti i Iranit, ashtu edhe raporti i SHBA-ve me aleatët.

“Është lexuar gabim i gjithë ky skenar lufte. Nuk është nënvlerësuar vetëm Irani dhe aftësia e tij asimetrike, por edhe marrëdhënia e SHBA-ve me aleatët,” tha ajo.

Sotiri kritikoi qasjen e presidentit Donald Trump, duke deklaruar se “përmes tarifave dhe bullizimeve ndaj aleatëve është demoralizuar aleanca transatlantike”, ndërsa shtoi se thirrjet ndaj NATO-s për ndërhyrje në Ngushticën e Hormuzit lidhen me një situatë komplekse, përfshirë minat detare.

Duke folur për politikën e brendshme amerikane, ajo u shpreh: “Trump po përpiqet të ruajë imazhin e tij si president, por edhe të kalkulojë pritshmëritë e qytetarëve amerikanë”, duke theksuar se një pjesë e madhe e tyre janë kundër luftës me Iranin.

Në vijim, Sotiri ngriti shqetësimin për shtrirjen e ndikimit iranian: “Ka indicie për lidhje financiare mes Iranit dhe karteleve meksikane”, duke paralajmëruar për zgjerim të rrezikut edhe jashtë rajonit.

Në fund, ajo theksoi edhe një tjetër fenomen: “Lufta po shoqërohet me rritje të kumarit dhe basteve”, duke e cilësuar situatën si “një poker gjeopolitik”, ku sipas saj “mungon një strategji e qartë daljeje”. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos